Një ngjarje e pazakontë ka ardhur në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News24. 70-vjeçari nga Tepelena Selam Qendro ka treguar momente tronditëse nga skena e krimit të datës 4 prill të vitit 2000. Pikërisht këtu nis e gjithë historia e familjes. Burri punonte bari në mal dhe kur kthehet në shtëpi gjen gruan në krevat me komshiun. Në këtë moment, ai humbet kontrollin dhe në përleshje e sipër me burrin me të cilin gjeti gruan, gjuan me armë dhe kryen krimin makabër.
Në vendngjarje ndodhej dhe vajza 13-vjeçare, e cila në tentative për të shpëtuar nënën nga kthetrat e të atit gjen vdekjen. Komshiu largohet menjëherë duke shpëtuar nga vrasja, por Selami në gjendje të rëndë psikologjike vret gruan dhe vajzën. Ai thotë se nuk mban mend çfarë ndodhi më pas, duke përfunduar kështu tre muaj në gjendje kome. Për veprën e kryer dënohet me 25 vite burg. Pavarësisht krimit, 70-vjeçari merr guximin të rrëfejë ekskluzivisht në studion tonë aktin e xhelozisë, që i mori jetën njerëzve të shtrenjtë të familjes.
“Unë kthehesha nga bagëtitë pasi punoja bari. Kur u ktheva në shtëpi gjeta gruan me komshiun në krevatin tim, ai doli menjëherë nga shtëpia. Ishte shumë e rëndë dhe nuk u përmbajta, mirë ishte që të mos veproja kështu, dhe bëj thirrje që askush të mos veprojë kështu në një rast të tillë. Armën e kisha në shtëpi dhe e kisha me leje, e dinte policia.
Kisha qenë në Gjirokastër një ditë më parë dhe unë kuptoja që ata donin të më eliminonin. Më është nxirë jeta. Herë unë, herë fëmija qëndronim në mal, shkëmbehesha me radhë. Unë kam ardhur në xhade për në Tepelenë, aty më gjeti dhe policia. Rakip Caka, ishte ai personi i cili më çoi deri këtu. Njëri nga djemtë ishte ushtar, njëri në mal, ndërsa vajzat në shtëpi! Rashë në koma tre muaj pasi ishte një ngjarje e rëndë. Familjarët e familjes Caka hanë dhe pinë me familjen e bashkëshortes time, ta marrë vesh gjithë Shqipëria dhe Tepelena”, rrëfeu 70-vjeçari.
Ai tha se ka pranuar gjykimin e shkurtuar, por në ato kushte nuk mund ta vendosnin një vrasje me paramendim. “Unë erdha në shtëpinë time dhe gjeta dikë në shtrat. Armën e mbaja me leje, kisha një pushkë me leje. Nuk e pranoj kurrë që ishte një vrasje me paramendim sepse nuk mund të bëja një gjë të tillë. Personat që më kanë takuar në burg janë vëllai i madh dhe djali i vogël, të cilin nuk e kam pritur mirë.
Djali i madh ishte në ushtri, vajza ishte e martuar që në vitin 2004. Kur dola në 20 tetor nga burgu i Fierit erdhi vëllai i madh atë ditë. Pak ditë më vonë erdhi djali dhe më tha që të shkoja të jetoja me të në Tiranë. Isha në qiell të hapur, vëllain edhe kunatën i kam të sëmurë, unë njeriu në kallo nuk i kam shkelur, për atë që bëra kreva dënimin”, deklaroi ai.
Selami i kërkoi ndjesë fëmijëve dhe tha se është penduar. “Jam penduar dhe mund t’u them fëmijëve më fal. Isha njeri punëtor, njeri i punës, por fëmijëve nuk ua mohoj dashurinë për nënën. Nuk kisha dëgjuar asgjë për bashkëshorten, por dashnori i gruas në 1999 tentoi të më vriste dhe unë mora masa për t’u mbrojtur. Mbrohesha për këtë. Në 1999 në nëntor kam shkuar në polici për kërcënimin. Nuk më ka lavdëruar njeri sepse unë kreva një vrasje të dyfishtë. Unë në mendjen time kisha punën e dhe shtëpinë. Edhe lot të hedhë sot 24 orë nuk do të kthente gjë tjetër. Unë asnjë nuk kam cenuar, nuk shkova në banesën e dikujt tjetër por unë e gjeta tjetrin në shtëpinë time. Këtu nuk erdha të marr lëvdata, vendimet janë pa firmë edhe pa vulë, unë ju drejtova drejtësisë dhe vuajta dënimin. Nuk mund të më deklaronin fajtor me burgim të përjetshëm. Kam ardhur për pavlefshmërinë e dokumenteve. T’i referohemi ligjit, kush e nxjerr një vendim pa firmë? Mua më cenuan. Vendimi është marrë vetëm me firmën e sekretares, plagët e mia nuk i shëron askush në botë”, rrëfeu Selam Qendro.