Njerëz të tillë jo çdo ditë hasen në rrugë. Shoferi i një kamioni është vlerësuar për gjestin e tij human. Ai ka ndaluar në mënyrë të menjëhershme automjetin, teksa ka parë një vajzë të re, e cila ishte duke u hedhur nga një urë.
Ngjarja ka ndodhur në Dublin të Irlandës, ditën e djeshme, më 20 dhjetor. Gjithçka është parë nga shumë kalimtarë të rastit në autostradën N7, në qytet.
Një foto e realizuar nga Keith Dunne, e cila ndodhej në zonë në atë moment, ka bërë xhiron e rrjetit. Në të duket një vajzë e re, e cila tenton të dalë në anën e jashtme të kangjellave të urës.
Nuk dihet se sa kohë kishte vajza që qëndronte aty, por e sigurt është se ajo po bënte tentativën e radhës për t’u hedhur nga ura. Sipas Dunne, në rast se vajza do të ishte hedhur, me siguri do të kishte vdekur në vend, për shkak të lartësisë së madhe të urës dhe mjeteve që lëviznin poshtë saj.
Të shumtë kanë qenë personat që kanë shkuar pranë vajzës dhe e kanë mbajtur atë me muhabet, kanë folur me të për ta qetësuar e për ta bërë që të ndryshojë mendim.
Ajo që ka rënë në sy, ka qenë veprimi i një shoferi kamioni, i cili ka ndaluar në moment pranë urës, në mënyrë që edhe nëse vajza do të vendoste të hidhej, të mos binte nga një lartësi e madhe, por mbi kamion. Kështu ajo do të shpëtonte.
Shoferi nuk është identifikuar dhe as nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me veprimin e tij, por të shumtë kanë qenë ata që e kanë përgëzuar për veprimin.