Bashkia e Elbasanit ka reaguar zyrtarisht lidhur me situatën e krijuar në rrugën e fshatit Tudan, e cila është prekur nga rrëshqitje të konsiderueshme dherash si pasojë e reshjeve të dendura të muajve Nëntor–Shkurt.
Sipas bashkisë, problematika u evidentua që në fillim të muajit Janar, kur Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave Civile u njoftua për bllokimin e një segmenti rrugor që lidh fshatin. “Prej asaj kohe, ekipet tona kanë ndërhyrë disa herë për pastrimin e rrugës, por situata është përsëritur vazhdimisht,” thuhet në reagimin zyrtar.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se ndërhyrjet kanë vijuar deri në momentin kur rrëshqitjet e vazhdueshme krijuan rrezik edhe për vetë punonjësit. “Agjencia tentoi të mbajë rrugën të hapur, por u detyruam të tërheqim makineritë për shkak të rrezikut të shtuar,” sqaron bashkia.
Për këtë arsye, më 16 janar 2026, Bashkia Elbasan i është drejtuar Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për një vlerësim të specializuar. Pas inspektimeve në terren, ekspertët kanë rekomanduar kryerjen e një studimi të thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar qëndrueshmërinë e zonës.
“Rekomandohet që ndërhyrjet të kryhen gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë tharë plotësisht, duke përfshirë stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë dhe ndërtimin e një muri mbrojtës,” theksohet në përgjigjen e ekspertëve, ndërsa bashkia shton se një pjesë e masave, si vendosja e tubave, është realizuar tashmë.
Ndërkohë, Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e banorëve të zonës, duke theksuar se fshati Tudan nuk është i izoluar. “Fshati aksesohet përmes dy segmenteve të tjera rrugore, përfshirë aksin që e lidh me qendrën e njësisë administrative dhe shërbimet kryesore,” thuhet në deklaratë.
Në përfundim, bashkia nënvizon se çdo vendimmarrje përfundimtare do të bazohet në studimin e thelluar dhe se prioritet mbetet siguria e qytetarëve. “Mbetemi të palëkundur se siguria e përdoruesve të rrugës është përparësia jonë kryesore,” përmbyllet reagimi.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.