Rritja e çmimit të naftës, si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, po reflektohet dukshëm edhe në tregun ushqimor në vend. Një vëzhgim në tregun e fruta-perimeve në Elbasan tregon se pothuajse të gjitha produktet janë shtrenjtuar krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit.
Nëse disa ditë më parë një kilogram domate tregtohej me 250 lekë, sot shitet me 300 lekë. Rritje kanë pësuar edhe produktet e bulmetit, ku djathi është shtrenjtuar me 100 deri në 200 lekë për kilogram.
Kjo situatë po rëndon drejtpërdrejt mbi buxhetin e qytetarëve, sidomos pensionistëve. “Me këto çmime nuk ia dalim dot. Pensioni mezi na mjafton për bukën e gojës,” shprehet një qytetare e moshuar. Ndërsa një tjetër shton: “Çdo ditë shkojmë në treg dhe gjejmë çmime më të larta. Duhet të ishte ndërhyrë më herët nga shteti.”
Nga ana tjetër, disa tregtarë, për të mos larguar klientët, shmangin afishimin e çmimeve në tezga, por ata pranojnë se rritja është e pashmangshme, sidomos për produktet e importit.
Sipas tyre, kjo situatë po sjell një ulje të ndjeshme të numrit të blerësve. “Njerëzit po blejnë gjithnjë e më pak. Në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojmë gjatë,” thotë një tregtar, duke shtuar se shumë prej tyre rrezikojnë falimentimin dhe mbylljen e aktivitetit të tyre shumëvjeçar.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.