Një tjetër sukses për matematikën shqiptare: Nxënësi Loris Qose drejt Olimpiadës Ballkanike

Nxënësi i klasës së 9-të, Loris Qose, do të përfaqësojë Shqipërinë në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës për të Rinj (JBMO 2026), pas rezultateve të shkëlqyera në testin seleksionues të zhvilluar më 16 mars 2026 nga Shoqata Shqiptare e Matematikës në “Virtus Training Center”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë nxënësi i shkollës 9-vjeçare “7 Marsi” në Cërrik,për Infoweb Media  duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e tij akademik. Ai shënon gjithashtu një precedent, pasi është nxënësi i parë nga shkolla e tij dhe nga ZVAP Cërrik që përfaqëson Shqipërinë në një olimpiadë ndërkombëtare të këtij niveli.

Olimpiada Ballkanike e Matematikës për të Rinj do të zhvillohet në datat 15–20 qershor 2026, ku pritet që Loris Qose të përfaqësojë vendin mes nxënësve më të talentuar të rajonit.

Ky nuk është suksesi i parë për 15-vjeçarin nga Cërriku. Pak muaj më parë, ai u shpall fitues i vendit të parë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës “Neo Science” në SHBA, duke u vlerësuar me medalje ari, ndërsa mori edhe medalje bronzi në Kimi, duke u renditur mes më të mirëve në botë.

Arritjet e tij po e kthejnë Loris Qosen në një nga talentet më premtues të matematikës shqiptare dhe një shembull frymëzimi për të rinjtë.