Bashkia e Belshit në ITB Berlin, çertifikohet si destinacion i gjelbër dhe nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Bronzit nga Fondacioni Green Destinations
Në një nga skenat më prestigjioze të turizmit botëror, në panairin ndërkombëtar ITB Berlin, destinacioni turistik Belsh është vlerësuar me çertifikimin ndërkombëtar për turizëm të qëndrueshëm nga Green Destinations, duke marrë njëkohësisht edhe Çmimin Ndërkombëtar të Bronzit për përmbushjen e standardeve globale të qëndrueshmërisë.
Ky vlerësim i rëndësishëm përfaqëson një njohje të drejtpërdrejtë ndërkombëtare për përpjekjet e vazhdueshme të Bashkisë së Belshit në drejtim të zhvillimit të turizmit në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe përfshirjes aktive të komunitetit lokal në zhvillimin ekonomik të zonës.
Dorëzimi i çmimit nga drejtuesi i fondacionit prestigjoz ndërkombëtar
Titulli prestigjioz iu dorëzua kryetarit të bashkisë, Arif Tafani, nga vetë Drejtori Ekzekutiv i fondacionit Green Destinations , Albert Salman, gjatë ceremonisë zyrtare të organizuar në kuadër të panairit botëror të turizmit.
Çmimi i Bronzit certifikon atraktivitetin turistik të Belshit, cilësinë e ofertës së tij dhe përpjekjet konkrete për menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore dhe kulturore. Vlerësimi konfirmon angazhimin institucional për zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në planifikimin dhe zhvillimin e turizmit, duke e vendosur Belshin në hartën e destinacioneve të qëndrueshme në nivel global.
Një hap i madh për profilin ndërkombëtar të Belshit në fushën e turizmit
Ky zhvillim konsiderohet një moment historik për promovimin e Belshit në tregun turistik ndërkombëtar. Çertifikimi jo vetëm që rrit vizibilitetin e destinacionit, por edhe forcon besimin e vizitorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj standardeve që aplikohen në menaxhimin e territorit.
Me liqenet e shumta piktoreske turistike , biodiversitetin e pasur dhe trashëgiminë kulturore, Belshi dhe e gjithë zona e Dumresë po konsolidohet si një model i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri, duke dëshmuar se zhvillimi ekonomik mund të ecë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komunitetit.
Optimizmi dhe krenaria e kryetarit të bashkisë, Arif Tafani
Në një prononcim pas marrjes së çmimit, kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani, u shpreh:
“Ky është një moment krenarie për Belshin dhe për çdo qytetar të tij. Vlerësimi nga Fondacioni Green Destinations në skenën e ITB Berlin është dëshmi se puna jonë për ta zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme po jep rezultate konkrete. Ne kemi investuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në ndërgjegjësimin e komunitetit për mbrojtjen e mjedisit dhe valorizimin e pasurive tona natyrore e kulturore.
Ky çmim prestigjoz ndërkombëtar nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një faze të re zhvillimi. Do të vijojmë me projekte që forcojnë profilin e Belshit si destinacion model i turizmit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe më gjerë.”
Bashkia e Belshit ka bërë të ditur se do të vijojë zbatimin e politikave dhe iniciativave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, me fokus të qartë në mbrojtjen e mjedisit, valorizimin e burimeve natyrore dhe rritjen e mirëqenies së komunitetit lokal.
Me këtë arritje në arenën ndërkombëtare, Belshi konfirmon ambicien për të qenë jo vetëm një destinacion turistik i bukur preferuar nga të gjithë , por edhe një model i zhvillimit të përgjegjshëm dhe afatgjatë.
ITB Berlin 2026, Shqipëria në qendër të vëmendjes
Panairi i Berlinit është momenti më kulmor i panireve ndërkombëtare të turizmit në botë. Ky panair ka 60 vite që ka filluar rrugëtimin e tij dhe këtë vit në të janë mbi 100 mijë ekspozitorë dhe me një numër të jashtëzakonshëm të vizitorëve. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panair është bërë një traditë normale. Stenda e Shqipërisë sivjet ka tërhequr jashtëzakonisht shumë vëmendje. Agjencitë turistike shqiptare kanë zhvilluar bisedime me kompani të ndryshme gjermane dhe nga e gjithë bota për të nënshkruar kontratat e 2027 dhe 2028. Nga kompani prestigjoze ka një vëmendje shumë të madhe për bashkëpunim me Shqipërinë e cila vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet turistike më të preferuara.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.