Një situatë alarmante dhe thellësisht problemore është regjistruar sot paradite në rrugën rurale Hotolisht–Dragostunjë, ku 12 persona nga zona të ndryshme të Bashkisë Prrenjas, të planifikuar për trajtim jetik dialize në Spitali Rajonal i Elbasanit, janë përballur me një kalvar të vërtetë vuajtjesh gjatë udhëtimit.
Për shkak të shkatërrimit të rëndë të rrugës rurale e amortizuar, me gropa, baltë dhe segmente të pakalueshme automjeteve tip autoveturë që transportonin pacientët kanë mbetur të bllokuara në disa pika të aksit rural . Udhëtimi drejt daljes në rrugën kombëtare, në afërsi të Librazhdit , është kthyer në një betejë me terrenin dhe kohën.
Pacientët që varen nga dializa për jetën e tyre kanë përjetuar ankth dhe pasiguri, ndërsa çdo minutë vonesë për ta përkthehet në rrezik real shëndetësor. Sipas burimeve nga zona, ndërhyrja e institucioneve ka munguar në momentin kritik.
Në ndihmë të tyre kanë ardhur banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore kanë bërë të mundur hapjen e përkohshme të rrugës dhe lëvizjen e automjeteve, duke shmangur një situatë edhe më të rëndë.
Ngjarja e orëve të fundit nxjerr në pah gjendjen alarmante të infrastrukturës rurale dhe mungesën e një plani emergjent për raste kur akset kryesore apo alternative bëhen të pakalueshme. Kur pacientët kronikë detyrohen të mbështeten te solidariteti i banorëve për të arritur në spital, kemi të bëjmë me një problem tepër serioz rruge, por edhe me një dështim që prek drejtpërdrejt sigurinë dhe dinjitetin njerëzor.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për sistemimin e aksit Hotolisht–Dragostunjë si edhe të aksit tjetër Spathar -Rruga Antike Egnatia -Dardhë -Hotolisht ,garantimin e kalueshmërisë, veçanërisht për raste emergjente shëndetësore.
Situata mbetet shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.