Aksidenti tragjik në Gramsh/ Shoferi i ambulancës përballë dramës personale, shoqëron motrën e plagosur drejt Spitalit të Traumës

NGA FATMIR POPJA

Mes zhurmës së sirenave, dhe forcës për të përballuar dhimbjet më të tmerrshme që asnjë profesion nuk ti mëson ti përballosh, Gelsi Boja, shofer i autoambulancës së Spitalit të Gramshit, u gjend këtë të hënë përballë provës më të rëndë të jetës së tij ,të ruante qetësinë dhë të kryente denjësisht detyrën për të shpëtuar njerëz, mes tyre edhe motrën e tij.

Aksidenti tragjik në aksin Kabash–Porocan, ku një kamionçinë ra nga rreth 70 metra në humnerë, shndërroi një ditë pune në një betejë mes detyrës dhe shpirtit të lënduar . Në mjetin e përfshirë në aksidentin e tmerrshëm ndodheshin mësuesja Albana Besim Boja, motra e Gelsit, infermierja Dëshira Kapo Hoxha dhe drejtuesi i mjetit. Përplasja ishte fatale për infermieren, e cila humbi jetën, ndërsa dy të tjerët mbetën të plagosur rëndë.

Në vendngjarje, Gelsi Boja nuk ishte thjesht një shofer ambulance i Spitalit të Gramshit . Ai ishte profesionisti, vëllai, njeriu që duhet të përballonte tragjedinë , burri që duhet të bënte detyrën dhe të përjetonte dhimbjen .

Me një qetësi që vetëm sakrifica dhe përgjegjësia e madhe mund ta japin, ai përballoi situatën dramatike si askush tjetër në situata të tilla duke ndihmuar në transportimin e dy të plagosurve, ndërsa e dinte se njëri prej tyre ishte motra e tij, në gjendje kritike.

Udhëtimi nga vendi i ngjarjes në Gramsh dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë ishte një rrugë e gjatë, jo vetëm në kilometra, por edhe në peshën e dhimbjes emocionale që mbante mbi supe. Gelsi nuk u thye. Ai e mbajti timonin me duar të forta dhe zemrën të mbërthyer, duke vënë mbi gjithçka detyrën për të shpëtuar jetë.

Mësuesja Albana Boja u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po merr trajtim intensiv, ndërsa drejtuesi i mjetit po ashtu mbeti i plagosur rëndë. Pas kësaj ngjarjeje, përveç bilancit tragjik, mbetet edhe një histori force njerëzore dhe profesionalizmi të rrallë.

Historia e Gelsi Bojës është historia e atyre që, edhe kur jeta i godet pa mëshirë, zgjedhin të mos ndalen. Të atyre që, mes dhimbjes personale, vazhdojnë të bëjnë detyrën me dinjitet, duke u kthyer në shembull heshtur heroizmi.