Vajza shqiptare pushton mediat italiane, dy vite radhazi me rezultate maksimale në shkollë

Një vajzë me origjinë shqiptare ka pushtuar faqet e para të mediave italiane falë rezultateve të saj të jashtëzakonshme në shkollë.

Samantha Gjeci, nxënësja që sapo ka përfunduar vitin e katërt në gjimnazin “Canova” në rajonin e Trevisos, cilësohet si një studente shembullore, pasi për dy vite radhazi ka marrë nota maksimale në të gjitha lëndët.

Ashtu si edhe qershorin e kaluar, Samantha ia atribuon suksesin e saj mbështetjes së familjes.

“Prindërit e mi më mbështesin dhe janë shumë krenarë për mua”, shprehet ajo për mediat lokale.

“Babai im erdhi në Itali nga Shqipëria 30 vite më parë dhe e di shumë mirë sa sakrifica ka bërë për mua”.

Dashuria e saj për dijen është e pamohueshme. Në një intervistë për gazetën Il Gazzettino, ajo rrëfen:

“Jam një perfeksioniste. Kjo më motivon shumë. Ishte e vështirë të ruaja të njëjtin nivel, ndjeva pak presion, por në fund ia dola të menaxhoj emocionet”.

Megjithatë, Samantha nuk e privon veten nga jeta sociale dhe aktivitetet tipike të moshës.

“Gjej gjithmonë kohë për pasionet e mia. Më pëlqen të lexoj, të dal me miqtë, të kaloj kohë me kushërinjtë dhe familjen”, tregon ajo.

Ajo ka krijuar edhe një marrëdhënie shumë të mirë me shokët e klasës dhe së fundmi ka kryer një stazh në sektorin e ndërtimit të Bashkisë së Trevisos.

“Më pëlqejnë më shumë lëndët shkencore, si matematika dhe fizika”, thotë Samantha, e cila tashmë e ka menduar edhe të ardhmen:

“Jam e orientuar drejt degëve të inxhinierisë”.