Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e Xhamisë Mbret, e vendosur në lagjen historike “Kala”, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të qytetit të Elbasanit.
Gjatë inspektimit, Kryetari i Bashkisë u shoqërua nga Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, si dhe përfaqësues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Ai vlerësoi punimet e realizuara deri në këtë fazë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe komunitar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe objekteve të kultit.

Rikonstruksioni i Xhamisë Mbret është bërë i mundur falë kontributit të besimtarëve myslimanë, mbështetjes së Ambasadës Turke dhe bashkëpunimit me institucionet përkatëse, me synimin për të ruajtur dhe restauruar këtë objekt me vlera të veçanta historike dhe arkitekturore. Punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe shumë shpejt xhamia pritet të hapë sërish dyert për besimtarët dhe vizitorët.
Xhamia Mbret, e ndërtuar rreth 533 vite më parë, përfaqëson një nga simbolet më të hershme të identitetit historik dhe fetar të Elbasanit. Restaurimi i saj synon jo vetëm ruajtjen e vlerave historike, por edhe përmirësimin e kushteve për ushtrimin e riteve fetare dhe zhvillimin e turizmit kulturor.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të Bashkisë Elbasan për t’i kushtuar vëmendjen e merituar objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore, paralelisht me procesin e rivitalizimit të Lagjes Kala, një hapësirë identitare dhe historike me potencial të lartë për turizmin kulturor.
Kryebashkiaku Llatja shpreh mirënjohjen për besimtarët, Ambasadën Turke, TIKA-n dhe të gjitha institucionet e organizatat që kanë kontribuar në rikonstruksionin e këtij Monumenti Kulture të Kategorisë së Parë, duke riafirmuar angazhimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike të qytetit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.