Nga Fatmir Popja
Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar e Bashkisë së Cërrikut ka informuar këtë fundjavë për një sukses madhor në arenën ndërkombëtare të një nxënësi të klasës së IX-të, duke e vendosur jo vetëm këtë bashki, por edhe Shqipërinë në qendër të vëmendjes për këtë arritje të jashtëzakonshme.
Sipas znj. Vjollca Qose, drejtoreshë e ZVAP të Bashkisë Cërrik, nxënësi i klasës së IX-të, Loris Qose, nga shkolla “7 Marsi” në Cërrik, ka arritur rezultatin më të mirë ndër të gjithë pjesëmarrësit në Olimpiadën Botërore të Shkencave të Natyrës, e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë kësaj jave.
Në përfundim të fazës finale të kësaj olimpiade, ku morën pjesë qindra nxënës nga të gjitha kontinentet, nxënësi nga Cërriku është renditur i pari në botë në Matematikë dhe në vendin e tretë në Kimi.
Sipas burimeve zyrtare, në Olimpiadën Botërore “Neo Science”, e zhvilluar në Orlando, SHBA, në periudhën 9–16 janar 2026, nxënësi nga qyteti i Cërrikut, Loris Qose, nga juria e kësaj olimpiade u shpall:
Fitues i vendit të parë në Matematikë dhe u vlerësua me Medalje Ari
Fitues i vendit të tretë në Kimi dhe u vlerësua me Medalje Bronzi
Rezultatet e këtij kompeticioni prestigjioz ndërkombëtar u publikuan zyrtarisht mbrëmjen e kaluar, duke konfirmuar suksesin e jashtëzakonshëm të nxënësit të talentuar cërrikas, i cili në këtë përfaqësim ndërkombëtar u shoqërua nga mësuesja e tij e matematikës, Flutura Hoxholli.
Ky sukses i rrallë tejkalon kufijtë e Cërrikut dhe dëshmon qartë potencialin e lartë të nxënësve shqiptarë në konkurset ndërkombëtare të dijes. Arritja e nxënësit Loris Qose është fryt jo vetëm i talentit të tij në lëndët e shkencave të natyrës, por edhe i punës së palodhur dhe përkushtimit të vazhdueshëm të tij, si dhe i mbështetjes profesionale dhe pasionit të veçantë të mësueseve Flutura Hoxholli (Matematikë) dhe Afërdita Rama (Kimi), të cilat kanë luajtur një rol kyç në përgatitjen e tij.
Sot, kjo arritje është burim krenarie për familjen, shkollën “7 Marsi”, ZVAP Cërrik, qytetin e Cërrikut dhe për gjithë Shqipërinë, duke shërbyer njëkohësisht si shembull frymëzues për brezat e rinj. Loris Qose, nxënës i klasës së IX-të në shkollën “7 Marsi” në Cërrik, tashmë renditet në majat e suksesit më të madh në rang botëror, referuar olimpiadës ku mori pjesë në Matematikë dhe Kimi.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.