Shkarkimet nga hidrocentrali i Banjës ka shkaktuar përmbytje të mëdha në toka bujqësore, serat dhe ullishtet e fshatrave Linas dhe Selitë, në territorin e Bashkisë Cërrik.
Ndonëse uji tashmë është tërhequr, pasojat për fermerët mbeten të rënda.
Për herë të dytë brenda dy muajve, rreth 3 hektarë tokë bujqësore janë pushtuar nga uji për disa ditë me radhë. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sera, ku prodhimi është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Fermeri Daniel Tafa tregon se ende nuk ka mundur të përllogarisë humbjet ekonomike, por sipas tij ato janë shumë të mëdha. Teksa i bën thirrje qeverisë për ndihmë, thekson se shumë fermerë te tjerë njësoj si ai gjenden në prag falimenti.
Fermeri, Daniel Tafa tha se “është hera e dytë që përmbytemi brenda dy muajve. Dëmet janë të jashtëzakonshme dhe nuk kemi asnjë mbështetje.”
Pas kthimit nga emigrimi disa vite më parë, Daniel Tafa shpresonte të ndërtonte të ardhmen e familjes së tij në vendlindje, por sot përballet me pasiguri. Nëse situata vazhdon kështu, thotë se do të detyrohet të largohet sërish nga Shqipëria.
“Nëse nuk ka ndihmë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të ikim”, shton ai.
Ndërkohë, drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Cërrik, Çerçiz Shabani, bën të ditur se është ngritur një grup pune për verifikimin dhe evidentimin e dëmeve, të cilat më pas do t’i raportohen Ministrisë së Bujqësisë. Sipas autoriteteve, përmbytjet kanë ardhur si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentrali. Kaskada e lumit Devoll, përfshirë hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, menaxhohet nga kompania “Devoll Hydropoëer Sh.A”, në pronësi të grupit norvegjez Statkraft./reporttv
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.