Viti 2026 nis me bilanc tràgjik në rrugë: aƙsidente fatale, viƙtima dhe fëmijë të pĺagosur

Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur në mënyrë tragjike, me një seri aksidentesh të rënda rrugore që kanë sjellë viktima dhe të plagosur, duke tronditur opinionin publik.
Mëngjesin e sotëm, një aksident i rëndë u regjistrua në aksin Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj, ku nga përplasja e fortë e dy automjeteve humbën jetën dy persona.
Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur një grua dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 6 dhe 2 vjeç, të cilët udhëtonin në njërin prej mjeteve të përfshira.
Burime për mediat bëjnë me dije se viktimat janë një çift bashkëshortësh nga Puka, të identifikuar si Elona Florini, 42 vjeçe, mësuese, dhe Petrit Florini, 53 vjeç, efektiv policie.
Për nxjerrjen e trupave nga mjetet e shkatërruara ndërhynë forcat zjarrfikëse, ndërsa policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për zbardhjen e shkaqeve.
Ndërkohë, temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullim.
Në Rrugën e Kombit, pranë Rrëshenit, një autobus është përmbysur, ndërsa një tjetër aksident është shënuar në rrethrrotullimin e Savrës, ku u përplasën dy automjete tip “Benz”, fatmirësisht pa të lënduar, por vetëm me dëme materiale.

Seria e aksidenteve fatale nisi që në orët e para të vitit, me një tjetër tragjedi në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në zonën e njohur si “Bypass”. Nga përplasja e dy automjeteve humbën jetën tre të rinj: Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç dhe Martin Dulaj, 25 vjeç. E fejuara e këtij të fundit, Arsida Demiri, 19 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Një fillim viti i përgjakur në rrugët e vendit, që rikthen në vëmendje rrezikun nga shpejtësia, kushtet atmosferike dhe nevojën për kujdes maksimal në qarkullim.