PD nis procesin e rifreskimit, Ervin Salianji mbledh më të votuarit e primareve dhe listave të hapura në 11 maj

Një tryezë e veçantë që zgjati rreth tre orë, mblodhi sot emrat më të votuar të Partisë Demokratike, si nga listat e hapura ashtu edhe kryesuesit e primareve, në një diskutim të hapur mbi të ardhmen e partisë.

Ish-deputeti Ervin Salianji thirri një takim ku ishin të pranishëm Ilir Alimehmeti (më i votuari në Qarkun Tiranë), Hysen Kadiu (më i votuari në primare), Aulon Kalaja (më i votuari në listën e hapur të Durrësit), Gent Cela (Qarku Fier), Qani Xhafa (Qarku Elbasan), Ted Kopliku (Qarku Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Qarku Diber), Alma Kore (Qarku Gjirokastër), Pardid Mahmutaj (Qarku Berat), Nada Daullja (Qarku Vlorë), si dhe një sërë kandidatesh të votuara dhe fitues të primareve.

Sipas burimeve nga takimi, qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në në këtë moment të rëndësishëm politik. Diskutimet u fokusuan mbi rikthimin e ADN-së fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar.

Ky takim shihet si një hap i rëndësishëm drejt rifreskimit të frymës dhe modelit organizativ të PD-së, duke vënë në qendër zërin e qytetarëve dhe votuesve që kanë besuar tek kandidatët më të votuar.

“Rikthimi te ADN-ja fituese, meritokracia, hapja dhe besimi qytetar janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtojmë të ardhmen e partisë,” thanë burimet nga takimi.

Ky moment nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit dhe dëgjimit të njerëzve që kanë marrë vota reale, duke u shndërruar në një mesazh pozitiv për demokratët dhe elektoratin e PD-së

© BalkanWeb