Ndërhyri në sistemin e gjobave në favor të personave të tjerë, pezullohet polici në Elbasan

Me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra punonjësin e policisë E. Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan.

Punonjësi i policisë akuzohet për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” teksa nga hetimet është konstatuar se ka vepruar në mospërputhje me detyrën ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë Inspektor E.Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Ekzekutimi i masës së sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale të hetimit, ka rezultuar se punonjësi i policisë duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë”, thuhet në njoftimin e AMP./Shqiptarja.com