Rinia në qendër të vëmendjes/ Alban Shingjergji: Elbasani po ndërton modelin më të avancuar të përfshirjes rinore.

Elbasani e ka vënë rininë në qendër të qeverisjes së tij, duke e parë arsimin dhe integritetin si shtylla të zhvillimit komunitar. Përmes transparencës, bashkëpunimit dhe përfshirjes reale, Bashkia Elbasan ka ndërtuar modele funksionale si Këshilli Rinor i Elbasanit, i cili sot shërben si zë përfaqësues dhe ura lidhëse mes të rinjve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Angazhimi i tij edhe në Këshillin Vendor të Sigurisë Publike, krijimi i mekanizmit të parë të buxhetimit me pjesëmarrje për të rinjtë në Shqipëri, praktikat e punës në Bashki dhe ngritja e Zyrës së Karrierës, dëshmojnë se rinia në Elbasan nuk është më vetëm përfituese, por bashkëhartues dhe bashkëvendimmarrëse e politikave lokale.
Në një forum të zhvilluar në Elbasan, specialisti i Rinisë prane Bashkisë Elbasan, Alban Shëngjergji, u shpreh se:

Të nderuar kolegë, të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi për mua të marr fjalën sot si përfaqësues i Bashkisë Elbasan dhe si specialist rinie, në një panel që trajton një temë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit tonë: integritetin në arsim dhe qeverisjen vendore.

Në Elbasan besojmë fort se integriteti ndërtohet përmes transparencës, pjesëmarrjes aktive dhe bashkëpunimit të hapur me qytetarët, veçanërisht me të rinjtë. Kjo frymë është reflektuar më së miri në suksesin e Këshillit Rinor të Elbasanit, një nga modelet më funksionale dhe më të arrira në Shqipëri. Me dhjetëra të rinj që angazhohen vazhdimisht, ky këshill është shndërruar në një zë të fuqishëm, konstruktiv dhe përfaqësues për komunitetin e të rinjve.

Është me rëndësi të veçantë të theksoj se Këshilli Rinor është pjesë edhe e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, duke sjellë perspektivën e brezit të ri në çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për gjithë qytetin. Ky është një shembull i qartë se si rinia mund të ndikojë drejtpërdrejt në politikat vendore.

Një hap tjetër novator për Elbasanin është buxhetimi me pjesëmarrje për të rinjtë, i pari në Shqipëri. Ky mekanizëm u jep të rinjve jo vetëm zë, por edhe kapacitet real vendimmarrës, duke rritur transparencën dhe duke forcuar përgjegjshmërinë institucionale.

Një vlerë e shtuar për Elbasanin është edhe bashkëpunimi i ngushtë me organizata brenda dhe jashtë vendit. Falë këtij rrjeti partneritetesh, shumë projekte kombëtare e ndërkombëtare e kanë pasur Elbasanin si destinacion, pikërisht për shkak të angazhimit të të rinjve tanë. Të rinjtë janë bërë ura lidhëse mes qytetit dhe aktorëve të rëndësishëm të zhvillimit, duke sjellë ekspertizë, mundësi dhe energji të re në komunitetin tonë.

Po ashtu, përmes takimeve të rregullta me Kryetarin e Bashkisë, workshopeve, trajnimeve, dhe dhjetëra inicativave rinore me impakt, ne kemi krijuar një kulturë të re bashkëpunimi të hapur. Të rinjtë po njihen nga afër me funksionimin e institucioneve dhe proceset e vendimmarrjes, duke u shndërruar nga spektatorë në bashkëhartues të politikave lokale.

Nuk mund të lë pa përmendur ngritjen e Zyrës së Karrierës dhe praktikat e punës në Bashki, të cilat i japin të rinjve mundësi reale profesionale, duke ndërtuar një brez të ardhshëm më të përgatitur dhe më të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në shoqëri.

Të gjitha këto iniciativa janë investime të drejtpërdrejta në integritet, sepse integriteti ndërtohet kur të rinjtë informohen, fuqizohen dhe përfshihen. Në këtë mënyrë rritet transparenca, forcohet besimi dhe krijohet një kulturë e re bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve.

Natyrisht që sfida ka si çdo qytet. Por ajo që e identifikon Elbasanin është vullneti për t’i adresuar ato me sinqeritet, me hapje dhe me ide të reja. Ne po ndërtojmë një model qeverisjeje ku integriteti nuk është thjesht parim, por praktikë e përditshme.

Në përmbyllje, dua të theksoj se Elbasani ka zgjedhur të jetë një qytet ku të rinjtë jo vetëm dëgjohen, por ndikojnë; ku jo vetëm marrin pjesë, por bashkëvendosin; ku jo vetëm shpresojnë, por edhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Faleminderit.