Elbasani parashikon kreun, Dinamo testi që vulos pretendimet

Fitorja ndaj Egnatias nuk mjafton për ta shpallur zyrtarisht Elbasanin si një prej skuadrave pretendente të këtij edicioni, por shërben si një provë e fortë se është në drejtimin e duhur. Jo vetëm se mundën kampionët në fuqi, por arritën të ruajnë edhe vazhdimësinë pozitive të javëve të fundit, që duket se ka sjellë stabilitet në lojë dhe besim në grup.

Ky sukses merr peshë sidomos në një moment kur gara është më e ngjeshur se kurrë dhe diferencat në krye janë minimale. Për Elbasanin, kjo ndeshje tregoi se ekipi ka fituar aftësinë për të menaxhuar presionin, për të lexuar situatat dhe për të marrë maksimumin nga momentet vendimtare. Në një kampionat ku detaji shpesh bën diferencën, reagimi ndaj kampionëve në fuqi është një sinjal i matur, por domethënës, për ambicien që ekipi po ndërton hap pas hapi.

DINAMO, TESTI I RADHËS – Sfida e radhës me Dinamon do të tregojë sa e aftë është skuadra për të ruajtur vazhdimësinë, element kyç për një ekip që synon të jetë në zonën e lartë të tabelës. Sezonin e kaluar Dinamo ishte “mace e zezë” për Elbasanin, duke i shkaktuar probleme të vazhdueshme në duelet direkte. Por këtë edicion situata duket se ka ndryshuar. Takimi i parë në “Elbasan Arena” u fitua, gjë që i ka dhënë verdheblutë qetësi psikologjike dhe ndjesinë se ngërçi me blutë është kapërcyer.

Megjithatë, Dinamo mbetet ndër skuadrat më të vështira për t’u lexuar në kampionat, për shkak të ritmit të luhatshëm, por edhe aftësisë për të reaguar në sfidat ku nuk janë favorite. Për Elbasanin, kjo ndeshje është më shumë sesa për tri pikë: është një provë për të parë nëse ekipi mund të tregojë stabilitet të qëndrueshëm, edhe përballë një kundërshtari që historikisht e ka vënë në vështirësi. Një fitore do të forconte pozitat në krye, ndërsa një rezultat pozitiv do të mbante të gjallë ritmin e krijuar në periudhën e fundit.

EKIPI I MOMENTIT – Me 12 pikë në pesë javët e fundit, katër fitore radhazi dhe një humbje, Elbasani është aktualisht skuadra me formën më të mirë në kampionat. Ritmi i marrë e ka ngjitur ekipin në krye të tabelës me pikë të barabarta me Vllazninë. Forma e skuadrës ka ardhur si rezultat i një mesazhi të qartë: disiplinë taktike, efikasitet në finalizim dhe rritje e kontributit individual të disa lojtarëve kyç.

Në këtë fazë të kampionatit, rënia e ritmit mund të kushtojë shumë, ndaj brenda grupit duket se ka vetëdije se ky është momenti për të kapitalizuar çdo mundësi. Objektivi nuk është thjesht të qëndrojnë në vendin e parë, por të krijojnë një bazë solide pikësh që më vonë t’i lejojë ekipit të menaxhojë presionin me më shumë qetësi. Për Elbasanin, kjo është periudha që ndan ekipet e formës nga ato që thjesht kanë bërë një nisje të mirë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL