Elbasani po kalon një periudhë pozitive në Superligë dhe fitorja e fundit në Vlorë ka shtuar optimizmin në kampin verdheblu. Një prej figurave që e njeh më mirë se kushdo ADN-në e këtij klubi, ish-futbollisti i njohur Edmond Mustafaraj, kampion i Shqipërisë me Elbasanin në sezonin historik 1983-1984, ndjek me vëmendje çdo ndeshje të skuadrës së zemrës.
Me qetësi, realizëm dhe dashuri për klubin, ai analizon për “Panorama Sport” ecurinë e verdhebluve, rolin e trajnerit, harmoninë e grupit dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës ndaj Egnatias. Mustafaraj nuk e fsheh kënaqësinë për mënyrën si skuadra po tregon personalitet, ndërsa thekson se rruga drejt suksesit kalon përmes vazhdimësisë dhe përqendrimit, jo vetëm rezultateve sporadike.
Zoti Mustafaraj, Elbasani vjen pas një fitoreje të rëndësishme në Vlorë. Si e patë atë ndeshje?
Ishte një fitore me shumë vlera, për nga mënyra si erdhi dhe nga efekti që ka për skuadrën. Vlora nuk është asnjëherë një fushë e lehtë, ndaj suksesi merr më shumë peshë. Më pëlqeu që Elbasani tregoi karakter, pjekuri dhe qetësi. Nuk u ngut, e lexoi lojën drejt dhe arriti të marrë maksimumin. Ky është një sinjal i mirë, sepse tregon se ekipi po rritet dhe po fiton besim te vetja. Këto janë fitore që i japin shtysë për të ardhmen, sepse ndihmojnë psikologjikisht dhe forcojnë grupin.
Çfarë ju pëlqen më shumë nga ky Elbasan?
Më pëlqen fryma e grupit. Shoh një skuadër që punon bashkë, ka harmoni dhe një raport të mirë me stafin teknik. Kjo është themelore. Shpeshherë kemi parë ekipe që kanë individë të mirë, por nuk funksionojnë si grup. Ky Elbasan, në ndryshim nga sezonet e tjera, po tregon se ka një identitet. Po fiton si ekip dhe po humbet si ekip. kjo tregon unitet. Edhe në ndeshjet ku nuk ka qenë në formë maksimale, skuadra nuk është dorëzuar. Kjo më bind se diçka po ndërtohet me bazë të shëndoshë.
Ka një frymë të mirë dhe duket se trajneri e ka fituar dhomën e zhveshjes apo jo?
Absolutisht. Trajneri ka vendosur rregull, qetësi dhe komunikim të qartë. Kur lojtarët ndihen të respektuar dhe të vlerësuar, ata japin më shumë në fushë. Mendoj se mënyra si është menaxhuar ky grup ka qenë çelësi. Elbasani ka përzierje të mirë mes lojtarëve me përvojë dhe elementëve të rinj që po rriten nga ndeshja në ndeshje. Kjo i jep skuadrës gjallëri dhe energji.
Gara për “Final 4” po bëhet gjithnjë e më e ashpër. E shihni Elbasanin në këtë zonë?
Po, pse jo? Unë e shoh Elbasanin si pjesë të garës për Final 4. Kampionati është i gjatë, ka shumë rivalë të fortë, por Elbasani ka cilësi dhe organizim. Të gjitha ekipet do të kenë ulje-ngritje, por rëndësi ka vazhdimësia. Duhet të marrë pikë aty ku duhet, të mos humbasë ritmin dhe të mbajë të njëjtën frymë pozitive. Nuk e them me emocione, por me bindje, ky është një grup që e ka potencialin për të qenë mes më të mirëve.
Në fundjavë vjen ndeshja ndaj Egnatias, një kundërshtar i konsoliduar. Si e shihni këtë përballje?
Është një test i vërtetë për Elbasanin. Egnatia është skuadër e fortë, e organizuar, me shumë përvojë dhe ambicie për kreun. Këto janë ndeshjet që tregojnë sa gati je për të luftuar në nivele të larta. Por unë them që nuk duhet të ketë presion. Duhet ta shohë si një ndeshje radhe, ku të japë maksimumin pa u ndikuar nga emri i kundërshtarit. Kampionatin nuk e vendos një ndeshje, por shumë javë të qëndrueshme. Rëndësi ka që Elbasani të mos humbasë fokusin, pavarësisht rezultatit.
Çfarë ju bën optimist për këtë skuadër?
Fryma e re që ndjej në Elbasan. Ka një bashkim dhe skuadra, drejtuesit, trajneri dhe tifozët janë në një linjë. Shoh pasion, përkushtim dhe seriozitet dhe si ish-lojtar dhe si elbasanas, kjo më gëzon. Kemi një qytet që e do sportin, që ka nxjerrë kampionë dhe që e meriton ta shohë ekipin lart. Nëse ruhet ky stabilitet dhe ky besim, unë jam i sigurt se ky Elbasan do të bëjë një sezon shumë pozitiv.
Në fund, një mesazh për skuadrën?
Të mos ndalen. Të vazhdojnë me përulësi dhe dëshirë për të përmirësuar veten. Çdo javë është një provë e re. Kampionati është maratonë, jo sprint. Nëse do të ruajnë këtë qetësi dhe shpirt loje, jam i bindur se Elbasani do të mbërrijë atje ku e meriton.
PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.