Finalja e Kampionatit të Volejbollit për Shkollat 9-Vjeçare në Elbasan / Llatja: Së shpejti nis edhe projekti më i ri, “Dua të Luaj”

Një super atmosferë në Pallatin e Sportit është mbajtur ditën e djeshme për finalen e kampionatit të volejbollit mes shkollave 9-vjeçare!

20 shkolla dhe 400 nxënës morën pjesë në këtë aktivitet plot energji, pasion dhe frymë garuese, duke e kthyer sportin në një festë të vërtetë për të rinjtë e Elbasanit.

Kampionë të këtij sezoni u shpallën:

💫 Vajzat – shkolla “Abdyl Paralloi”

💫 Djemtë – shkolla “Jorgji Dilo”

Kryetari i Bashkisë Elbasan falënderoi mësuesit e edukimit fizik dhe organizatorët për përkushtimin dhe disiplinën që tregojnë çdo ditë në nxitjen e brezit të ri drejt sportit.

 “Falë punës së mësuesve dhe pasionit të nxënësve, çdo ditë e më shumë të rinj po i afrohen sportit. Rinia e Elbasanit meriton kushte bashkëkohore, prandaj shumë shpejt do të nisë projekti ‘Dua të Luaj’ – projekti më i madh i terreneve sportive që do të krijojë hapësira moderne për lojë, argëtim dhe aktivitet fizik për të gjithë,” – u shpreh kryetari.

Ky projekt i ri i Bashkisë Elbasan pritet të sjellë një frymë të re për sportin e shkollave dhe për komunitetin, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë rekreacioni dhe bashkëjetese sociale.