Bazuar në një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një automjet tip “Benz” duke kryer manovra të rrezikshme (drift), në qytetin e Elbasanit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kryer veprimet për identifikimin dhe ndëshkimin e drejtuesit të automjetit.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi S. O., është shoqëruar në ambientet e Policisë, bashkë me automjetin e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, bazuar në pikat 3 dhe 8 të nenit 139 të Kodit Rrugor, i kanë vendosur shtetasit S. O., masën administrative 40 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.