Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, me tone të ashpra ndaj efektivëve. 22 paralajmërime për largim nga puna
Gjatë një mbledhjeje rutinë me efektivët e Policisë Bashkiake të Elbasanit, bëhet me dije se Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka mbajtur një qëndrim të ashpër dhe kritik ndaj punës së deritanishme, duke kërkuar që efektivët të jenë më të pranishëm dhe aktivë në terren. Burimet nga takimi bëjnë me dije se Llatja ka kërkuar që të mos tolerohen asnjë rast shkeljeje në qytet, duke u fokusuar veçanërisht në trafikun dhe zbatimin e rregullave.
Llatja ka ngritur shqetësime lidhur me parkingjet e dyfishta, parkimet mbi vijat e bardha dhe parkimet në vende me pagesë, të cilat shpesh herë kanë mbetur pa masa nga efektivët. “Kjo nuk do të vazhdojë kështu”, është shprehur Llatja, duke u bërë thirrje efektivëve që të kryejnë detyrat e tyre me përkushtim dhe përgjegjësi.
Gjithashtu burimet citojne se, ai ka kërkuar që të merren masa për fenomenin e tregtarëve ambulantë, të cilët janë të pranishëm në zona me qarkullim të lartë, si rruga e Universitetit deri në kryqëzimin e Cerrikut. Sipas burimeve nga mbledhja, ky fenomen pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve që shkojnë në shkollë.
Në mbledhje janë vendosur 8 vërejtje dhe 14 paralajmërime për largim nga puna, ku Llatja ka theksuar se çdo efektiv duhet të kryejë punën me rigorozitet. Ai ka kërkuar që efektivët të dalin nëpër lagjet e qytetit dhe të merren me situatat e parkingut, duke u dhënë prioritet rezidentëve të zonave periferike, të cilët shpesh kanë vështirësi për të gjetur vend parkimi.
Po ashtu, burimet nga mbledhja bëjnë me dije se nuk do të ketë lëshime për asnjë efektiv, dhe se rregulli është për të gjithë, pavarësisht funksionit. Llatja ka përmendur gjithashtu se edhe punonjësit e bashkisë do të penalizohen nëse bllokojnë rrugët me mjetet e tyre, përpara bashkisë apo në hapësira publike si qendra spitalore.
Sipas burimeve, kryebashkiaku ka kërkuar ndër të tjera që të jepet prioritet trajtimit të disa çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve,si mbetjet jashtë koshave të cilat ndotin qytetin dhe krijojnë pasiguri për shëndetin e qytetarëve, heqja e bllokuesve të paligjshëm të parkimit pasi cënojnë hapësirën publike dhe përforcimi i patrullimeve në lagjet periferike.
Në përfundim të takimit, Llatja ka ripërsëritur se siguria në qytet dhe kalimi i lirshëm i mjeteve dhe qytetarëve janë përparësitë kryesore të administratës së tij, dhe se nuk do të tolerohen më shkelje të rregullave.