Vijon pastrimi i kanaleve kulluese në njësitë administrative të Bashkisë Elbasan

Bashkia Elbasan po vijon punimet për pastrimin e kanaleve kulluese në të gjitha njësitë administrative, me qëllim përmirësimin e rrjetit vaditës dhe parandalimin e përmbytjeve në prag të stinës së vjeshtës.

Në Njësinë Administrative Gjergjan, ekipet e punës po kryejnë ndërhyrje intensive për pastrimin e kanalit kullues që shërben si një arterie e rëndësishme për vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore, si dhe për mirëmbajtjen e rrugëve kryesore të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se ky është një proces i planifikuar me kujdes për të siguruar mbrojtjen e infrastrukturës rurale dhe rritjen e produktivitetit në bujqësi.

 “Po vijojmë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kulluese në të gjitha njësitë administrative. Këto ndërhyrje janë thelbësore për parandalimin e përmbytjeve dhe për krijimin e kushteve më të mira për fermerët tanë,” – deklaroi Llatja.

Ky proces do të shtrihet në të gjithë territorin e bashkisë, duke përfshirë zonat me risk më të lartë për përmbytje dhe me sipërfaqe të mëdha bujqësore.