Pauza i bëri mirë Elbasanit, Gvozdenoviç: Skuadra e motivuar, nuk ka pesimizëm

Skuadra e Elbasanit ka zhvilluar një test miqësor brenda familjes ndaj ekipit të të rinjve U-19, në kuadër të përgatitjeve gjatë pauzës së kampionatit. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2–0 në favor të ekipit të parë, me golat e shënuar nga Tsague në minutën e 13-të dhe Delaj në të 76-ën.

Ky ishte një test i rëndësishëm për trajnerin Ivan Gvozdenovic, i cili shfrytëzoi rastin për të mbajtur gjallë ritmin e skuadrës dhe për të dhënë minuta lojtarëve që kanë pasur më pak hapësira kohët e fundit. Serbi vendosi të aktivizojë pothuajse të gjithë futbollistët në dispozicion, duke përfshirë edhe ata që janë rikthyer së fundmi nga dëmtimet. Dialo, Ibrahim dhe Lleshi morën minuta të vlefshme për të gjetur ndjesitë e lojës dhe për t’u integruar sërish në grupin e plotë. Nga ana tjetër, sfida shërbeu si një mundësi për stafin teknik që të shohë nga afër disa prej lojtarëve më premtues të skuadrës U-19, të cilët po përgatiten të bëjnë hapin e madh drejt futbollit të të rriturve.

Përveç rezultatit, ndeshja kishte rëndësi në aspektin fizik dhe organizativ. Loja u zhvillua me ritëm të mirë dhe me momente të bukura në të dyja krahët, duke treguar se grupi është në formë të qëndrueshme dhe se konkurrenca për një vend titullari mbetet e hapur. Trajneri dhe stafi i tij panë përmirësime në fazën mbrojtëse, por edhe ide të qarta në ndërtimin e aksioneve ofensive.

GVOZDENOVIÇ – Në përfundim të ndeshjes, trajneri Gvozdenovic u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe me reagimin që pa pas humbjes në ndeshjen e fundit të kampionatit: “Ishte një test i nevojshëm për të gjithë grupin. Kemi kaluar një javë të mirë stërvitore dhe kjo miqësore na ndihmoi të mbajmë ritmin. Më pëlqeu reagimi i lojtarëve, si në qëndrimin në fushë ashtu edhe në dëshirën për të bërë mirë. Edhe ata që po rikthehen nga dëmtimet dhanë sinjale pozitive. Nuk jemi në pesimizëm pas humbjes së fundit, përkundrazi ekipi është i motivuar dhe i përqendruar për ndeshjen me Vorën”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport” tekniku i Elbasanit.

Serbi shtoi se konkurrenca brenda grupit është rritur dhe se kjo është gjë pozitive për skuadrën në prag të sfidave të radhës: “Kemi një grup të balancuar dhe lojtarë që po e ndjejnë garën për një vend në formacion. Kjo është gjë e shëndetshme për ekipin. Tani fokusi ynë është vetëm te Vora dhe rikthimi te fitorja. Kemi edhe një javë në dispozicion për t’u përgatitur dhe jemi gati për t’u rikthyer tek rezultatet pozitive”, u shpreh në fjalën e tij për gazetën trajneri i verdhebluve. Elbasani do të vijojë përgatitjet në ditët në vijim me seanca të dedikuara për aspektin taktik dhe konsolidimin e skuadrës, ndërsa atmosfera në grup mbetet pozitive dhe e qetë. Objektivi është i qartë, rikthimi i menjëhershëm te rezultatet pozitive në kampionat.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL