Në dy ndeshjet e fundit, Elbasani ka vuajtur mungesat e dy titullarëve të rëndësishëm, të cilët janë elementë kyç të ekipit në fazën sulmuese dhe mesin e sfushës. Sulmuesi i krahut, Ibrahima Dialo, nuk ka qenë në dispozicion që nga ndeshja me Partizanin, ndërsa mesfushori qëndror Ibrahim Abas mungoi në sfidën ndaj Teutës dhe atë ndaj Vllaznisë.
Praktikisht, mungesa e këtyre dy lojtarëve ka prishur ndjeshëm ekuilibrat taktike të ekipit dhe ka kufizuar aftësinë e Elbasanit për të shfaqur lojën e zakonshme, sepse si rezultatet edhe loja ka çaluar në dy përballjet e fundit, në krahasim me startin e kampionatit. Shansi i keq i tyre dhe ekipit që pikërisht kur ishin në formën e tyre më optimale dhe bënin diferencën, mungojnë për arsye dëmtimi, duke bërë që skuadra të shfaqë probleme në fushë.
RIKTHIMI – Gjasat janë të mëdha që ata të rikthehen pas pushimit të shkurtër, sepse kanë nisur punën me grupin dhe me Vorën pritet që së paku të jenë të gatshëm në pankinë. Rikthimi i tyre jo vetëm që do të plotësojë boshllëqet e dy ndeshjeve të fundit, por edhe do të përforcojë kohezionin mes linjave dhe do t’i japë skuadrës mundësinë për të luajtur lojën e saj karakteristike.
Dialo, me shpejtësinë dhe kreativitetin e tij në krahun sulmues, është shpesh burim i sulmeve të rrezikshme dhe asistimeve vendimtare. Abas, nga ana tjetër, është shtylla e mesfushës, duke diktuar ritmin e lojës dhe lidhur fazën mbrojtëse me atë sulmuese. Pa të dy, skuadra ka munguar në kontrollin e mesfushës dhe organizimin e sulmeve, duke u dukur shpesh e shpërqendruar dhe e pafuqishme në momente kyçe.
LLESHI NË “NXEMJE” – Sulmuesi kryesor i Elbasanit, Arsen Lleshi, po përgatitet të rikthehet pas një dëmtimi të gjatë që e ka mbajtur jashtë fushave që nga muaji janar. Lleshi ka qenë pjesë e skuadrës edhe gjatë sfidës ndaj Vllaznisë, ku qëndroi në pankinë, duke pritur shansin të provohej përsëri në fushë. Rikthimi i tij pritet të sjellë një dimension të ri sulmit verdheblu, duke përforcuar mundësitë e ekipit për të shënuar dhe krijuar rrezik për kundërshtarët.
Dëmtimi i tij ndodhi nëntë muaj më parë, gjatë një ndeshjeje me Dinamon, në një moment kur ai po arrinte formën e tij maksimale. Ky rast e kishte ndalur në kulmin e performancës, duke bërë që Elbasani të humbë një nga elementët më të rëndësishëm të sulmit. Pas muajve të rehabilitimit dhe stërvitjes së kujdesshme, sulmuesi duket i gatshëm për të rikthyer atë efektivitet që kishte treguar më parë. Trajneri Ivan Gvozdenoviç e sheh rikthimin e Lleshit si një arsenal shtesë në sulmin e Elbasanit, duke shtuar opsionet taktike në fazën sulmuese.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL