Prefekti i Qarkut Elbasan, z. Ilir Bejtja, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Rajonal Antitrafik (KRAT), zhvilloi një takim pune me anëtarët e Komitetit dhe Tryezës Teknike Antitrafik.
Në fjalën e tij, prefekti Bejtja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke u shprehur se:
“Trafikimi i qenieve njerëzore është një plagë që kërkon vëmendje, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të ngushtë mes nesh. Çdo përpjekje e përbashkët është një hap më afër mbrojtjes së jetës dhe dinjitetit të çdo personi.”
Qëllimi i takimit ishte njohja me Urdhrin e ri të Kryeministrit, mbi bazën e të cilit janë hartuar aktet për funksionimin e Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik.
Gjithashtu, u diskutua kalendar i aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të Muajit të Antitrafikut, me fokus te sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi në institucionet arsimore dhe shëndetësore të Qarkut Elbasan.
Në përmbyllje, prefekti Bejtja falënderoi anëtarët e KRAT për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe nënvizoi nevojën që kjo mbledhje të shërbejë si një platformë për ide të reja dhe veprime të përbashkëta kundër këtij fenomeni shqetësues.