Në njësinë administrative Funar u zhvillua një takim me përfaqësuesit vendorë, ku në qendër të diskutimit ishin përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore dhe zhvillimi i turizmit lokal.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve vendore dhe komunitetit për të siguruar standarde më të mira jetese, me fokus te pastrimi i territorit, kanalet vaditëse dhe rrugët rurale, të cilat mbështesin drejtpërdrejt fermerët dhe banorët e zonës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi Funarin si një nga zonat me potencial të lartë zhvillimi në qark, duke theksuar se investimet në infrastrukturë dhe turizëm do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike lokale.
“Funari është një pasuri e madhe natyrore dhe njerëzore për Elbasanin. Me bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët, synojmë ta zhvillojmë më tej si një hapësirë të pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët,” – u shpreh kryetari Llatja.
Funari po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i dashur për sportet outdoor dhe turizmin natyror, duke u kthyer në shembullin më të mirë të bashkëjetesës së njeriut me natyrën.