Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e shoqërisë aksionare “Mobal” sh.a., e cila do të ofrojë shërbim transporti publik rrugor të udhëtarëve, duke përfshirë edhe linjat drejt destinacioneve turistike.
Mësohet se shoqëria “Mobal” ka një kapital fillestar 10 milionë lekë dhe pronësi 100% shtetërore dhe do të jetë nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Krahas aktiviteteve të mësipërme, shoqëria e re do të ofrojë edhe shërbimin e transportit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë, që pritet të nisë në shtator 2026. Më tej, “Mobal” do të përfshihet edhe tek sistemet e karikimit për mjetet elektrike dhe biletimin elektronik.
Ndërkaq, shoqëria e re do të ketë edhe kompetenca të tjera, përfshirë organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, do të zhvillojë dhe menaxhojë sisteme digjitale dhe aplikacione për mbikëqyrjen dhe informimin në kohë reale mbi shërbimet e transportit.
Ne vendim theksohet se, “Mobal” mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.