Në Qarkun e Elbasanit po vërehet një prani gjithnjë e më e madhe e shtetasve të huaj që zgjedhin të punojnë në sektorë kyç të ekonomisë lokale.
Njëri prej tyre është 30-vjecari Munhamet Muharam Ali Baba, nga Pakistani.Ai thotë se Elbasani është bërë një vend ku ai ndihet i mirëpritur. Prej pesë muajsh, ai punon si inxhinier elektrik në një kompani prodhimi polisteroli në zonën e ish-metalurgjikut në Elbasan. Miqtë e tij e thërrasin “Mukarem”, dhe ai tregon për eksperiencën që po përjeton në Elbasan.
“Quhem Mukarem, jam 30 vjeç dhe vij nga Pakistani. Kam përfunduar studimet për inxhinieri elektrike dhe kam mbi 10 vite përvojë në profesion. Në Elbasan kam ardhur para 5 muajsh. Është një qytet i qetë, me njerëz të mirë, të ndershëm dhe mikpritës. Kolegët dhe drejtuesit e kompanisë janë shumë korrektë dhe më trajtojnë me respekt. Edhe unë ua kthej të njëjtin respekt. Më pëlqen shumë ushqimi shqiptar, por do të ishte mirë të kishte më shumë ushqim ‘hallall’, sipas fesë islame.
Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë që kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, Mukarem beson në potencialin e Shqipërisë dhe sidomos të Elbasanit.
”Kompania ku punoj më paguan mirë. Preferoj të punoj këtu sepse besoj që për profesionistët dhe për industrinë në përgjithësi, mundësitë do të rriten. Mendoj se ekonomia e Shqipërisë do të përparojë dhe do të tërheqë më shumë turistë. Nuk jam dakord që njerëzit të largohen. Veçanërisht shtresa intelektuale duhet të qëndrojë. Shqipëria është një vend shumë i bukur ,madje më i bukur se Pakistani, nga vij unë.”
Ky trend në rritje tregon jo vetëm për globalizimin e tregut të punës në Elbasan, por edhe për sfidën që përbën mungesa e fuqisë punëtore vendase në disa sektorë.