Elbasani po përgatitet të hyjë në hartën botërore të automobilizmit me ndërtimin e Auto Moto Park, cirkuitit të parë shqiptar të standardeve të Formula 1. Projekti, me një investim prej rreth 190 milionë eurosh dhe një sipërfaqe prej gjysmë milioni metrash katrorë, po shndërron një zonë të gjerë pranë lumit Shkumbin në një qendër moderne sportive e turistike. Synimi final është i guximshëm: të presë një garë zyrtare të Formula 1 deri në vitin 2030, ndërsa gara e parë provë parashikohet për vitin 2027.
Pista kryesore, e projektuar sipas kërkesave të FIA-s, do të ketë gjatësi rreth 4.4 kilometra dhe një gjerësi deri në 20 metra, duke ofruar hapësirë të mjaftueshme për manovra të shpejta dhe gara spektakolare. Trajektorja e garës do të përfshijë 14 kthesa të ndryshme, nga serpentinat e ngushta deri te harku i gjerë me shpejtësi të lartë, ndërsa vija e drejtë prej afro një kilometri premton skena të forta parakalimesh. Një kartodrom i veçantë me 17 kthesa do të përdoret për trajnime dhe evente më të vogla.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi ditën e shtunë në rrjetet sociale një video e cila shfaq një prezantim nga projekti fitues i kompanisë së ish pilotit të famshëm austriak të F1, Alexander Wurz dhe babait të tij Franz.
https://www.instagram.com/p/DPLlJm6DQ-G/?img_index=2
Auto Moto Park nuk do të kufizohet vetëm në gara. Kompleksi do të përfshijë paddock modern, muze retro për makinat historike, hapësira për karting, akademi për restaurimin e automjeteve dhe një Akademi Kombëtare të Sigurisë Rrugore. Kjo e fundit synon të kthehet në qendër edukimi për drejtuesit e mjeteve, me salla teorike, simulatorë dhe pista testimi ku do të praktikohen manovra emergjente, frenime në kushte të rrëshqitshme dhe skenarë të rrezikshëm. Kurset do të jenë të hapura për shoferë të çdo kategorie, nga fillestarët deri te profesionistët, me qëllim uljen e aksidenteve dhe përmirësimin e kulturës së qarkullimit.