Nga ndriçimi te gjelbërimi, bashkia Elbasan vijon investimet në lagjen “5 Maji” me një strategji afatgjatë

Bashkia e Elbasanit po vijon me investimet në infrastrukturë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet, duke i kushtuar një kujdes të veçantë zonave me rëndësi dhe atyre ku prej vitesh ka munguar infrastruktura moderne. Një nga projektet më të rëndësishme të kohëve të fundit është rehabilitimi i bllokut të pallateve në lagjen “5 Maji”, një zonë e populluar që kishte nevojë urgjente për ndërhyrje.

Punimet që po kryhen përfshijnë asfaltimin e rrugëve dhe trotuareve, për të siguruar lëvizje më të lehtë e më të sigurt për banorët, si dhe vendosjen e ndriçimit të ri publik me teknologji moderne, që rrit sigurinë dhe e bën zonën më të aksesueshme edhe gjatë orëve të natës. Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe gjelbërimi, i cili po transformon hapësirat e zakonshme në ambiente çlodhëse dhe kënde rekreative për fëmijë e të rritur.

Burime në bashki bëjnë me dije se” rehabilitimi i lagjes “5 Maji” është pjesë e një strategjie më të gjerë për urbanizimin e zonave periferike dhe atyre që deri dje konsideroheshin informale. Kujdes i veçantë po i kushtohet lagjeve me dendësi të lartë banimi, ku ndikimi i investimeve është më i madh në jetën e komunitetit.

Banorët kanë filluar të shohin ndryshime konkrete në përditshmërinë e tyre, ndërsa ekspertët e urbanistikës theksojnë se projekte të tilla nuk përmirësojnë vetëm cilësinë e jetesës, por ndikojnë gjithashtu në rritjen e vlerës së pronave dhe nxisin zhvillimin ekonomik të qytetit.