Në një shtëpi të vogël në periferi të Elbasanit jeton një familje, e cila përbëhet nga prindërit dhe tre fëmijët e tyre. Jeta ka qenë e mbushur me sfida të shumta për këtë familje, fëmijët e së cilës vuajnë nga probleme të rënda të lidhura me sistemin skeletor dhe të frymëmarrjes. Ndërkohë nëna e tyre përballet çdo ditë me pasojat e një gjendjeje të rënduar emocionale, të diagnostikuar si depresion nga mjeku psikiatër.
Vështirësitë nuk janë vetëm të natyrës shëndetësore. Izolimi social, përjashtimi që ndjen dhe pamundësia ekonomike për të përballuar trajtime mjekësore e kanë bërë situatën edhe më të rëndë.
Situata në këtë familje nisi të përmirësohet falë mbështetjes së projektit “EMBRACE BALASHE”, i cili zbatohet nga IRCA në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit BE për Kujdesin Social, që zbatohet nga UNICEF Shqipëri dhe Ëorld Vision Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky përmirësim ka ardhur në sajë të ofrimit të shërbimeve të integruara të kujdesit social në familje, përmes Njësisë Lëvizëse të Kujdesit Social, që synon të afrohet aty ku nevoja është më e madhe. Ndërhyrja nuk ndalet vetëm te trajtimi, por shkon më thellë duke dëgjuar, kuptuar dhe ndërtuar një plan mbështetjeje të personalizuar, për çdo individ në familje
Në rastin e kësaj familjeje, ndërhyrja nisi me një vlerësim psikologjik në shtëpi dhe vijoi me seanca psikologjike të rregullta për nënën, me qëllim fuqizimin e saj emocional dhe rikthimin e një ndjenje kontrolli mbi jetën.
Paralelisht, fëmijët nisën të përfitonin shërbime fizioterapeutike në shtëpi. Përmes ushtrimeve të rregullta dhe ndjekjes së kujdesshme nga profesionistë të specializuar, gjendja e tyre fizike ka filluar të përmirësohet. Dhimbjet janë më të lehta, lëvizjet më të lehta për t’u kryer, e mbi të gjitha, prindërit ndihen më të mbështetur dhe më të përfshirë në procesin e trajtimit.
Sot, nëna është në rrugën e rimëkëmbjes. Ajo po mëson të përballet me ndjenjat e saj, të pranojë ndihmën dhe të ndërtojë një strukturë të brendshme më të qëndrueshme. Ndërkohë, fëmijët shfaqin më shumë energji, më shumë buzëqeshje dhe përfitojnë nga prania e një nëne që po rikthehet tek vetja.
“Tani e ndjej veten më të qetë dhe më e aftë të kujdesem për fëmijët e mi. Më parë ndihesha e bllokuar, por tani e di që nuk jam vetëm,” – thotë nëna e familjes.
Ky rast është një shembull domethënës i vlerës së shërbimeve të integruara të kujdesit social, ku ndërhyrjet psikologjike dhe fizioterapeutike ndërthuren për të ofruar mbështetje të plotë për fëmijët dhe prindërit. Falë këtij qasjeje, familja po tregon shenja të qarta përmirësimi, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në atë emocional dhe social. Ata ndihen më të fuqizuar, më të lidhur me komunitetin dhe më të aftë për të përballuar sfidat e përditshme.
Kjo histori suksesi është realizuar në kuadër të projektit “Zgjerimi i shtrirjes dhe ofrimit të shërbimeve të kujdesit social të Qendrës Sociale Balashe për fëmijët dhe familjet në nevojë (EMBRACE BALASHE)”, i cili zbatohet nga IRCA dhe Bashkia Elbasan, përmes nën-grantit “BE për Kujdesin Social”, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Programi “BE për Kujdesin Social” zbatohet nga UNICEF Albania dhe World Vision Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.