Vijon puna në terren/ Bashkia Elbasan pastron kanalin kullues në zonën e Bradasheshit

Puna në terren nuk është ndalur asnjë ditë në territorin e Bashkisë Elbasan, duke treguar angazhimin e pandërprerë për zgjidhjen e problematikave të komunitetit. Një ndërhyrje e rëndësishme është kryer së fundmi në zonën e Bradasheshit, ku u realizua pastrimi i kanalit kullues, një investim i domosdoshëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe parandalimin e problemeve që lidhen me rrjedhjet ujore.

Ky aksion i ndërmarrë nga Bashkia Elbasan është pjesë e një programi të gjerë ndërhyrjesh që synojnë jo vetëm zgjidhje afatshkurtra, por mbi të gjitha garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së banorëve. Pastrimi i kanaleve kulluese është një proces i domosdoshëm, sidomos në prag të stinës së reshjeve, për të shmangur përmbytjet apo dëmtimet e infrastrukturës bujqësore dhe rrugore.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e ka bërë të qartë se një nga prioritetet kryesore të mandatit të tij mbetet përmirësimi i infrastrukturës në çdo lagje e fshat, duke garantuar që qyteti dhe njësitë administrative të jenë të pajisura me shërbime funksionale dhe moderne. Ai ka theksuar se puna për pastrimin e kanaleve, ndërtimin e rrugëve, gjelbërimin dhe çdo element tjetër të infrastrukturës është një proces i vazhdueshëm, ku Bashkia është gjithmonë pranë qytetarëve.

Banorët e Bradasheshit e kanë pritur me pozitivitet këtë ndërhyrje, duke vlerësuar faktin se puna në terren vijon pa ndërprerje dhe përfshin zonat ku prej vitesh ishin evidentuar nevoja të mëdha./elbasaninews