Elbasani ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë rezultate që e kanë ngjitur menjëherë në krye të renditjes pas tri javëve të para të kampionatit.
Ish -trajneri i verdhebluve, Shkëlqim Lleshanaku, në një prononcim për “Panorama Sport” ka komentuar ecurinë e ekipit, duke nënvizuar disa prej faktorëve që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në suksesin aktual.
“Ky Elbasan po bën shumë mirë. Po të mos ishte për gabimin në vlerësimin e një penalltie në Rrogozhinë, sot do të ishim me nëntë pikë të plota. Kjo tregon se skuadra ka potencial dhe se rezultatet nuk janë rastësi”, u shpreh fillimisht Lleshanaku në fjalën e tij për gazetën.
SEKRETI – Sipas tij, sekreti i këtij fillimi të vrullshëm qëndron në stabilitetin që klubi ka arritur të ruajë nga sezoni i kaluar.
“Unë e kam thënë që fitorja më e madhe e Elbasanit këtë verë ishte mbajtja e trajnerit dhe pothuajse e gjithë grupit të vjetër. Nga kjo dhe puna e mirë e kryer në fazën përgatitore, kanë ardhur edhe rezultatet e mira që po shohim sot”, vijoi ai.
Por ish-tekniku nuk ndalet vetëm te vazhdimësia, duke theksuar se ekipi ka fituar edhe një tjetër aset të çmuar, ndërgjegjësimin dhe vetëbesimin.
“Dy faktorë i përmenda më lart, por nuk janë të vetmit. Ka dhe të tjerë, si ndërgjegjësimi i grupit për forcat e veta, eksperienca e fituar nga sezoni i kaluar, rendimenti shumë i lartë i disa lojtarëve kyç, sidomos i Ibrahim dhe Dialo, si edhe puna e kujdesshme e stafit teknik”, shtoi Lleshanaku.
KUJDESI – Megjithatë, eksperienca e tij si trajner e bën të kujdesshëm dhe realist për të ardhmen. Ai paralajmëron se të qenit kryesues e bën skuadrën më të rrezikuar në çdo ndeshje.
“Kur je në krye të tabelës, asnjë sfidë nuk është e lehtë. Të gjithë duan të mundin liderin. Për ne, çdo takim ka vlerën e tre pikëve dhe do të jetë i fortë. Kam besim që Elbasani mund t’i marrë, por duhet kujdes nga vetëbesimi i tepruar. Nuk duhet të mashtrohemi as nga loja e bukur, as nga pozicioni i kundërshtarit. Partizani, pavarësisht formës që ka treguar, mbetet një rival i rrezikshëm dhe duhet marrë me seriozitet maksimal”, theksoi ai.
MESAZHI – Në fund, Lleshanaku dha edhe një mesazh qartësisht optimist për sezonin.
“Nëse skuadra vazhdon të ruajë këtë ritëm dhe këtë nivel loje, duke u përmirësuar aty ku është e nevojshme, atëherë jam i bindur se Elbasani do të jetë protagonist kryesor në kampionat. Ky ekip ka treguar se ka personalitet, lojtarë që bëjnë diferencën dhe një staf që di si të punojë. Këto janë garanci për një sezon të suksesshëm”, përfundoi ish-trajneri verdheblu, i cili flet me nota pozitive rreth asaj që ka ndërtuar Elbasani i këtij sezoni dhe mbi të gjitha për pritshmëritë që ka skuadra në arritjen e objektivave.
PANORAMASPORT.AL