Policia e Shtetit ka dhënë një sqarim zyrtar lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë në Elbasan, ku janë përfshirë Besmir Likaj, Shef i Sektorit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, dhe Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe shofer i një prokurori të SPAK.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, në zonën midis rrethit të 1 Majit dhe atij të Postës, ku oficeri Besmir Likaj po patrullonte në kuadër të detyrës së tij. Gjatë këtij patrullimi, pranë rrethit të Postës, ai është sinjalizuar nga shtetasi Mateo Ademi të ndalonte mjetin.
Pas ndalimit të mjetit, sipas Policisë, ka pasuar një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit ndaj oficerit të Policisë Rrugore. Më tej thuhet se Ademi dyshohet të ketë përdorur një fjalor kanosës, ndërsa mbante një armë zjarri e cila ishte e dukshme në brez, gjë që, sipas autoriteteve, ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe mundësinë e përshkallëzimit të situatës.
Sipas Policisë oficeri Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokuese, duke ruajtur profesionalizmin në përmbushje të detyrës.
Ngjarja po hetohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në dorë të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë deklaratat e palëve dhe materialet filmike.