Është kthyer në motorin e skuadrës, Elbasani i varur nga Dialo

Elbasani po i gëzohet momentit të artë që po kalon në nisje të sezonit. Pas tre javësh kampionat, verdheblutë mbajnë vendin e parë në renditje, duke surprizuar jo pak opinionin sportiv. Ky rezultat merr edhe më shumë vlerë po të llogarisim se përballë kanë qenë tri skuadra të forta dhe të mire investuara si Flamurtari, Egnatia dhe Dinamo.

Në këto përballje, Elbasani ka treguar personalitet dhe efikasitet. Skuadra nuk është tërhequr përballë emrave më të bujshëm të merkatos, përkundrazi, ka ditur të ruajë ekuilibrat, të shfrytëzojë momentet e duhura dhe të marrë maksimumin nga çdo ndeshje.

Ky është një sinjal i qartë se verdheblutë nuk janë thjesht një emër i rikthyer në elitë, por një ekip që kërkon të lërë gjurmë. Një nga armët kryesore ka qenë loja e disiplinuar dhe shpërthimet individuale të sulmuesit Ibrahima Dialo, i cili ka bërë diferencën në disa sfida. Por mbi të gjitha, ky Elbasan është treguar skuadër kompakte, që di të vuajë dhe të shfrytëzojë shanset.

VARËSIA NGA DIALO – Elbasani ka nisur sezonin e ri me një formë të qëndrueshme dhe me rezultate premtuese, por një emër është duke bërë gjithë diferencën, Ibrahima Dialo. Sulmuesi i krahut është kthyer në motorin e skuadrës verdheblu, duke u shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm të ekipit dhe, sipas shumëkujt, edhe në shpëtimtarin e Elbasanit në disa ndeshje të para. Në vetëm tre javë kampionat, Dialo ka qenë protagonist absolut. Ishte ai që me depërtimin e fuqishëm nxori me karton të kuq mbrojtësin e Dinamos, Naser Aliji, duke i prishur ekuilibrat ndeshjes.

Më herët, shënoi golin vendimtar ndaj Egnatias dhe në sfidën e parë kundër Flamurtarit arriti të fitojë të jetë në formacionin e javës Statistikat e tij flasin qartë: tre herë radhazi në formacionin e javës dhe dy herë lojtari i ndeshjes, një arritje që tregon ndikimin e jashtëzakonshëm në ecurinë e skuadrës. Dialo erdhi në Elbasan në muajin janar, pasi kishte mbetur për një kohë të gjatë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi. Pavarësisht kësaj, ai u adaptua menjëherë, duke treguar në fazën përgatitore se ishte gati të rikthehej në nivele të larta. Me shpejtësinë, driblimet dhe aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësinë në momente vendimtare, Dialo është bërë pikë referimi jo vetëm për shokët e skuadrës, por edhe për tifozët, që tashmë e shohin si idhullin e ri të Elbasanit.

Megjithatë, kjo situatë sjell edhe një shqetësim të dukshëm: varësia e tepruar nga një lojtar i vetëm. Kur sulmet kalojnë pothuajse të gjitha nga krahu i tij, skuadra bëhet e lexueshme për kundërshtarët. Mungesa e Dialos, qoftë për shkak dëmtimi apo ndëshkimi, do ta linte Elbasanin pa armën kryesore në sulm. Kjo e bën të domosdoshme që trajneri të gjejë alternativa dhe balanca të tjera në lojë, për të shmangur një krizë të mundshme në rast se ylli i skuadrës nuk është në fushë. Në një kampionat të gjatë e të lodhshëm, suksesi nuk varet vetëm nga një individ, por nga forca e grupit. Diallo është pa dyshim xhevahiri i Elbasanit, por për të pasur një sezon të suksesshëm, verdheblutë duhet të mësojnë të shkëlqejnë edhe pa të.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL