Muzeu Etnografik i Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të historisë së qytetit, po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e turistëve të huaj.
Së fundmi, një grup turistësh francezë kanë zgjedhur të vizitojnë këtë muze për t’u njohur me traditat, kulturën dhe mënyrën e jetesës së hershme të qytetit.
Turistët patën mundësinë të zbulojnë nga afër elementë të trashëgimisë etnografike, duke e konsideruar muzeun si një dritare drejt historisë dhe identitetit të Elbasanit.
Interesi i vizitorëve të huaj tregon vlerën e trashëgimisë sonë dhe rëndësinë e saj në promovimin e qytetit të Elbasanit si një destinacion kulturor.
Muzeu Etnografik në Elbasan njihet ndryshe si “Shtëpia e Sejdinasve” dhe është shpallur Monument Kulture, Kategoria I në vitin 1963.
Në ndërtesën dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kuadri historik, zejtaria me rreth 80 lloje zejesh, veshjet dhe tipin e banesës qytetare karakteristike elbasanase.