Demonstrime interaktive dhe mësime praktike, fëmijët e Elbasanit mësojnë si të jenë të sigurt në rrugë

Java Europiane e Lëvizshmërisë 2025 e gjeti Elbasanin me vëmendje të veçantë tek siguria rrugore për fëmijët. Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me DPSHTRR, Kryqin e Kuq dhe partnerë të tjerë lokalë, organizoi një aktivitet edukues para sheshit të Bashkisë Elbasan, ku fëmijët morën pjesë në demonstrime interaktive, ushtrime mbi sinjalistikën rrugore dhe mësime praktike mbi ndihmën e parë.

Në këtë aktivitet u bë pjesë edhe kryebashkiaku Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe theksoi rëndësinë e edukimit të brezit të ri me rregullat e qarkullimit rrugor.

“Siguria në rrugë fillon nga edukimi i brezit të ri, i cili sot është më shumë se kurrë pjesë e vizionit tonë për një qytet të sigurt dhe të aksesueshëm për të gjithë”, theksohet nga Bashkia Elbasan.

Kryebashkiaku Gledian Llatja shtoi se policia bashkiake është çdo ditë në terren për të ndihmuar fëmijët gjatë momentit kur shkojnë në shkollë, duke i shoqëruar dhe mbrojtur në kalimin e vijave të bardha. Ai vuri në dukje se edhe një grup të moshuarish po sensibilizon fëmijët për sigurinë rrugore dhe sjelljen e automjeteve, sidomos pranë shkollave.

“Ne do të rikthejmë edhe të dielën pa makina, për të dhënë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e sigurisë dhe lëvizshmërisë së qëndrueshme”, u shpreh Llatja.

Ky aktivitet është pjesë e një sërë nismash që po zhvillohen në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë, duke synuar ndërgjegjësimin e komunitetit mbi rëndësinë e transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm.