Elbasani ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizmin malor, për shkak të larmisë së relievit dhe resurseve natyrore.
Një ndër to është edhe maja e Bukanikut, pika më e lartë e zonës së Shpatit, që ndodhet 30 km nga qendra e Elbasanit dhe vetëm 9 km nga fshati i Gjinarit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet 360 gradë që mund të shihen nga maja e Bukanikut, si një ftesë për t’u vizituar nga të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.
“Peizazh magjepsës nga maja e Bukanikut”, shkruan Rama.
Në një lartësi prej 1821 m mbi nivelin e detit, kjo pikë mjaft tërheqëse është kthyer vitet e fundit në një vend të preferuar nga vizitorët që parapëlqejnë ecjet e gjata në natyrë dhe ngjitjet në mal.
E njohur si një zonë perfekte për piknik dhe ecje, për ata që janë të pasionuar pas ngjitjeve në mal, kanë stërvitjen e duhur dhe kërkojnë diçka më shumë gjatë vizitës së tyre në Elbasan, nga maja e Bukanikut ata mund të shohin edhe detin Adriatik.
Ngjitja mund të zgjasë rreth 3 orë, duke u nisur nga fshati i Gjinarit dhe grupe të ndryshme udhërrëfyese ofrojnë guida me pikënisje nga Elbasani, ose edhe nga Tirana, për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj eksperience dhe të njihen nga afër me një nga pikat më të kërkuara në rrethinat e Elbasanit.