Elbasani ka marrë një fitore të madhe ndaj Dinamos, një sukses që ka ardhur falë golit të vetëm të shënuar nga sulmuesi Fatjon Bunjaku. Për verdheblutë, ky trepikësh nuk ishte thjesht një rezultat pozitiv, por një moment i veçantë që i çon ata në krye të renditjes dhe u jep fund një tabuje ndaj bluve. Për Bunjakun, goli ka vlerë të dyfishtë, pasi është i pari nën fanellën e Elbasanit dhe erdhi në një ndeshje ku skuadra kishte nevojë për një fitore të madhe për moralin dhe për vazhdimësinë e sezonit.
Atmosfera në stadium, mbështetja e tifozëve dhe besimi i trajnerit ishin elementët që i dhanë sulmuesit shtysën për të bërë diferencën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Bunjaku flet për emocionet e golit, pritshmëritë e tij për sfidën, mbështetjen që ndjen nga skuadra dhe synimet e tij personale e kolektive për këtë sezon.
Si ndiheni pas golit që i dha fitoren skuadrës?
Normalisht që ndihem shumë mirë, pasi është goli im i parë me fanellën e Elbasanit. Këtë gol ia dedikoj të gjithë tifozëve të Elbasanit dhe veçanërisht trajnerit që ka besuar shumë tek unë.
Tani jeni në krye të vetëm, ndieni ndopak presion apo jo?
Jo, nuk kemi presion fare. Nuk besoj se do të kemi presion mes nesh, sepse jemi një grup i mirë dhe kemi objektiva të qarta. Shpresoj dhe besoj që do të jemi po aty deri në fund të kampionatit.