Thursday , August 28 2025

Burg për shoferin vrasës, shkaktoi aksidentin në Sarandë ku vdiqën dy motra

Pas aksidentit të ndodhur të dielën në aksin rrugor Sarandë-Delvinë, gjykata caktoi masën e sigurisë për 23-vjeçarin Kevin Nora, shoferin e mjetit tip audi që shkaktoi tragjedinë me dy viktima.

Në seance, prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj, kërkoi masën e arrestit me burg.

Gjykata pranoi kërkesën, duke vendosur që Nora të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur makina e drejtuar prej tij u përplas me automjetin ku udhëtonin motrat Rozina dhe Elvisa Dhimaku, të cilat humbën jetën në vendngjarje. Nga përplasja mbeti e plagosur rëndë edhe kushërira e tyre, Antonela Zhupa, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se 23-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe kreu një manovër parakalimi të gabuar, që solli pasojat fatale.

Dy motrat, viktimë të aksidentit së bashku me kushërirën e tyre ishin nisur nga Delvina drejt Sarandës, për të shkuar në spital pasi kishin vëllain të sëmurë me leuçemi.

/abcnews.al