Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka ndodhur në Itali pak ditë më parë. Eshref Tufa, një 67-vjeçar shqiptar që vuante nga sëmundja e Alzheimerit, është gjetur i vdekur në shinat e trenit pranë Campegine, në rrugën Reggio-Sant’Ilario në Itali (Reggio Emilia).
Ai kishte humbur prej ditësh dhe për shkak të problemeve të tij shëndetësore, endej në një gjendje konfuzioni të thellë drejt shinave hekurudhore, ku dhe fatalisht u godit për vdekje nga një prej trenave të mallrave të linjës. Ai vdiq menjëherë. Policia hekurudhore u thirr në vendngjarje.
Pas identifikimit, lajmi i trishtueshëm iu dha familjes së tij, e cila e kishte kërkuar për dy ditë. Autoritetet thanë se përjashtojnë pistën e vetëvrasjes, për shkak të sëmundjes nga e cila vuante dhe besojnë se ngjarja është aksidentale, pasi ai mund të ketë qenë duke ecur mbi shina në mënyrë të pavetëdijshme.
Eshref ishte zhdukur papritur më 19 gusht, nga zona e tregut në Piazza della Vittoria në Reggio, ku ndodhej me gruan e tij. Vajza e tij Marsida nxitoi menjëherë në stacionin e policisë për ta raportuar të zhdukur. Menjëherë nisën kërkimet dhe u lëshua një apel në mediat sociale dhe u shpërndanë fotografi. Pati një shpresë një ditë më pas, kur kamerat e një lokali në Via Emilia, filmuan Tufën duke qëndruar jashtë tij dhe prej aty besohet se ai ka ndjekur rrugën e shinave të trenit, derisa u godit fatalisht.
Lajmi i vdekjes nuk është pritur mirë nga familjarët. Vajza e të ndjerit, e cila punonte në një supermarket ë zonës, sapo dëgjoi për vdekjen e të atit, kaloi në gjendje shoku dhe u desh ndihma mjekësore në urgjencën e Arcispedale Santa Maria Nuova.
“Shpresonim shumë ta gjenim”, thotë Qasim Gosa, bashkëshorti i Marsidës dhe dhëndri i viktimës, i pikëlluar. “Kur na treguan për pamjen në Cadè, nxituam atje, por ai ishte zhdukur tashmë. U përpoqëm ta kërkonim përgjatë Via Emilia, por nuk mundëm ta gjenim. Fatkeqësisht, askush nuk e njohu dhe as nuk e kuptoi se ishte i sëmurë.”
Eshrefi ishte në pension pas një jete si kasap në Shqipëri, në qytetin e Elbasanit. Ai kishte mbërritur në Itali disa vite më parë, duke vuajtur tashmë nga sëmundja e Alzheimerit. Vajza e tij Marsida dhe vëllai i saj – i cili, ashtu si bashkëshorti i saj, kishte qenë në Itali që nga viti 1998, pasi kishte marrë gjithashtu shtetësinë italiane – e sollën këtu për t’u kujdesur për të dhe për ta mbajtur pranë.
“Familja po priste një certifikatë paaftësie për të aplikuar për një strukturë të posaçme për pacientët me Alzheimer. Fatkeqësisht, menaxhimi i saj nuk ishte i lehtë. Megjithatë, nuk kemi pse të ankohemi; për fat të keq, kjo është thjesht një tragjedi e madhe”, thotë dhëndri i viktimës për median italiane.
Nuk ishte hera e parë që Eshref ishte larguar.
“Një muaj më parë, ndodhi e njëjta gjë; ai ishte larguar nga shtëpia (nga Via Cimarosa, në zonën e Acquedotto-s, red.). Por pastaj e gjetëm pak më vonë në Burger King pranë autostradës, ku na telefonuan, duke kuptuar se nuk ishte mirë. Fatkeqësisht këtë herë gjërat shkuan ndryshe”, përfundon Gosa.