Elbasani ka bërë vetëm katër afrime këtë verë, me klubin që ka vendosur të mos ndjekë rrugën e merkatos së zhurmshme. Përveç portierit çek, Martin Janaçek dhe sulmuesit izraelit, Roei Ben Shimon, lojtarë të formuar dhe me eksperiencë, verdheblutë kanë zgjedhur të investojnë te dy emra të rinj: Fatjon Bunjaku dhe Donart Ibraimi.
Të dy janë vetëm 21 vjeç dhe shihen si lojtarë që mund të shpërthejnë gjatë këtij sezoni. Në klub besojnë se potenciali i tyre mund të kthehet në forcë reale për skuadrën dhe në surprizë të këndshme për tifozët. Në fazën përgatitore, të dy kanë bërë paraqitje të mira dhe kanë bindur për të qëndruar në skuadër. Ndeshjet zyrtare, megjithatë, janë një tjetër histori. Futbolli i vërtetë fillon tani dhe është koha që Bunjaku dhe Ibraimi të kalojnë nga premtimi në realizim.
BUNJAKU, INSTIKT SULMUESI – Bunjaku ka ardhur për të forcuar repartin ofensiv. I rritur me ide moderne futbolli, ai njihet për shpejtësinë dhe aftësinë për të lëvizur mirë pa top, duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës. Në ndeshjet miqësore, ai ka lënë gjurmë me përfshirjen në aksione dhe nuk ka hezituar të marrë përgjegjësi para portës. Stafi teknik pret që Bunjaku të shfrytëzojë çdo minutë për të treguar se është gati për futbollin elitar. Mbetet për t’u parë minutat që do të marrë në dispozicion, duke qenë se në fazën sulmuese është një garë e ethshne për një vend titullari.
IBRAIMI, “XHOLI” I KËTIJ SEZONI – Ndryshe nga Bunjaku, Ibraimi është më shumë një lojtar i linjës mes sulmit dhe mesfushës. Me një vizion të mirë loje dhe teknikë të lartë, ai pëlqen të kërkojë topin dhe të krijojë aksione. Gjatë fazës përgatitore, Ibraimi ka treguar se ka këmbë të shpejta dhe aftësi për të ndërtuar raste nga asgjëja, një cilësi e rrallë për moshën e tij. Klubi e sheh si “xholin” e këtij sezoni, një lojtar që mund të hyjë nga stoli dhe të ndryshojë ritmin e ndeshjes. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ai do ta përkthejë talentin në vazhdimësi dhe gola.
ELBASAN RINOR – Duke ruajtur bërthamën e skuadrës dhe duke afruar vetëm lojtarët që i duhen realisht, Elbasani po ndërton me kujdes një grup të ekuilibruar. Përveç përvojës së Janaçek në portë dhe instinktit të Ben Shimon në sulm, klubi ka hapur derën për të rinjtë që duan të provojnë veten. Nëse Bunjaku dhe Ibraimi do të shpërthejnë, Elbasani do të ketë jo vetëm përforcime cilësore, por edhe dy karta të forta për të ardhmen. Tani gjithçka do të vendoset në fushë, aty ku premtimet duhet të kthehen në gola dhe rezultate.
Vladimir Mema-PANORAMASPORT.AL