Ditën e djeshme në Fier, në një aksident të rëndë ku çdo sekondë bënte diferencën mes jetës dhe vdekjes, punonjësi i Policisë së Shtetit shqiptar Klajdi Mustaj tregoi guxim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm.
Pa hezituar asnjë çast, ai hyri në rrezik për të shpëtuar katër të rinj nga një automjet që po digjej pas përplasjes tragjike. Falë vendosmërisë dhe përgatitjes së tij profesionale, të gjithë u nxorën nga makina në kohë, duke shmangur një tragjedi të madhe.
Klajdi Mustaj, i diplomuar me rezultate të shkëlqyera në degën e Kriminalistikës, është vlerësuar publikisht nga Universiteti i Strugës, i cili ka ndarë në rrjete sociale historinë e tij si shembull guximi dhe humanizmi.
Ky nuk është thjesht një akt detyre, por një shembull frymëzues i sakrificës, zemërgjerësisë dhe përkushtimit ndaj jetës njerëzore – një histori që duhet të motivojë çdo të ri.