Wednesday , July 16 2025

Ultimatumi i Ramës, vijon vala e dorëheqjeve të zyrtarëve në bashkitë e Qarkut të Elbasanit

Ristrukturimi i administratave vendore ka hyrë në një fazë intensive pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për rifreskimin e stafit drejtues në nivel bashkish.

Gjatë paradites së kësaj të marte, në Bashkinë Belsh kanë dhënë dorëheqjen një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë, duke i hapur rrugë përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës. Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Bashkinë Prrenjas, ku tre administratorë janë larguar nga detyra që një ditë më parë, ndërkohë që vijon vlerësimi i drejtorëve që ende mbeten në detyrë.

Procesi i dorëheqjeve dhe rivlerësimeve po zhvillohet gjithashtu edhe në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ndërsa në Librazhd dhe Elbasan vala e largimeve ka nisur që prej ditës së hënë.

Ky ristrukturim pritet të shtrihet edhe më tej, si pjesë e një reforme që synon rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe forcimin e përgjegjshmërisë në nivel vendor.

Qeveria ka paralajmëruar se përzgjedhja e drejtuesve të rinj do të jetë më transparente dhe me fokus tek qytetari, duke i dhënë fund, sipas saj, “automatikës së zyrave” dhe duke e kthyer administratën vendore në një pikë reale shërbimi për publikun.

Ndërkohë, në disa bashki të Qarkut Elbasan ka ende drejtues që nuk e kanë paraqitur dorëheqjen, por pritet që procesi të vijojë në ditët në vijim./gazeta shqip