Saturday , July 12 2025

Rruga e “Hidallarëve” në Muriqan, investim për zhvillimin rural të Elbasanit

Rruga e “Hidallarëve” në Muriqan, investim për zhvillimin rural të Elbasanit. Ka përfunduar ndërhyrja në rrugën e “Hidallarëve” në fshatin Muriqan, njësia administrative Gjergjan, një segment i rëndësishëm i unazës bujqësore që lidh tokat bujqësore me rrugët kryesore të qarkullimit.

Ky investim vjen si përgjigje ndaj nevojave të banorëve dhe fermerëve të zonës, duke lehtësuar ndjeshëm transportin e prodhimeve bujqësore drejt qytetit dhe pikave të shitjes.

“Investimet në infrastrukturë nuk janë përqendruar vetëm në qytet, por edhe në fshat, aty ku puna dhe prodhimi nuk ndalen asnjëherë. Bujqësia ka qenë dhe mbetet prioritet i bashkisë Elbasan, ndaj dhe përmirësimi i infrastrukturës për fermerët është pjesë e planit tonë afatgjatë”, tha kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

Ai shtoi se investimet në zonat rurale do të vijojnë, duke forcuar lidhjen e drejtpërdrejtë mes qytetit dhe fshatit dhe duke ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal.