Wednesday , July 9 2025

Ndërtimet pa leje, Rama paralajmëron reformë të re për kontrollin e territorit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me zënien e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje në territor.

Përmes një postimi në rrjetin social X, kreu i qeverisë paralajmëroi një reformë të re për administrimin e territorit, duke vënë theksin mbi përgjegjësinë e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për ndërtimet pa leje.

Rama njoftoi gjithashtu se paralelisht me këtë reformë, po projektohen edhe nisma të tjera në sektorë kyç si furnizimi me ujë, pastrimi i qyteteve, si dhe furnizimi me naftë dhe barna.

“Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama në X.