Tuesday , July 8 2025

Nga Lleshi te Ben Shimon, tek Elbasani do të ketë “luftë” për golin

Elbasani po ndërton një repart sulmues që të ngjall respekt dhe frikë për çdo kundërshtar në Kategorinë Superiore. Me një verë të pasur në merkato dhe rikuperimin e plotë të disa elementëve ofensivë, verdheblutë kanë sot në dispozicion 9 lojtarë me tipare sulmuese, një luks që rrallë e sheh në këtë nivel.

Ajo që e bën akoma më të veçantë këtë repart, është fakti se katër prej tyre janë sulmues të mirëfilltë, të gatshëm për të luajtur në qendër të ofensivës si “pykë”. Emri më i fundit që ka shtuar konkurrencën është Roey Ben Shimon, sulmuesi izraelit që ka ardhur për të qenë lider në sulm. Ai i bashkohet Donart Ibraimit, një tjetër alternativë solide për repartin ofensiv, si dhe dy lojtarëve të tjerë që mund të interpretojnë rolin e “pykës” me efikasitet, në varësi të skemës dhe nevojave të ndeshjes. Ky bollëk opsionesh i jep trajnerit mundësinë të luajë me module të ndryshme, nga 4-3-3 me një qendërsulmues të vetëm, deri te 4-4-2 ose 3-5- 2 me dy “bomberë” në majë.

NË NDIHMË TË SULMIT – Përveç qendërsulmuesve, Elbasani ka edhe pesë futbollistë të tjerë me profil krahu, që mund të luajnë si sulmues të dytë apo të shpërthejnë në 1 me 1 nga pozicione të avancuara. Shpejtësia, fantazia dhe rrotullimi mes këtyre emrave po e bëjnë skuadrën gjithnjë e më të paparashikueshme në zonën kundërshtare. Në fazën përgatitore janë testuar kombinime të ndryshme dhe sinjalet janë pozitive. Me këtë strukturë, Elbasani duket se ka një nga repartet sulmuese më të plotë të viteve të fundit. Tani mbetet që loja të harmonizohet në fushë dhe ky potencial të kthehet në rezultate konkrete, që mund të nisin që në javët e para të kampionatit. Donart Ibraimi, Karim Loukili, Xhonatan Lajthia, Ibrahima Dialo dhe Xhoel jane pesë futbollistët që kanë karakteristikat dhe luajnë më rolet sulmuese të fushës.

“PYKAT” – Në Elbasan pritet “luftë e vërtetë” për një nga pozicionet më të lakmuara në formacion: majën e sulmit. Me afrime cilësore dhe rikthime me peshë, trajneri i verdhebluve ka në dorë katër sulmues të mirëfilltë, të gjithë të profilit “pykë”, të cilët do të rivalizojnë fort për të siguruar një fanellë titullari në sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Roei Ben Shimon, afrimi më i bujshëm i merkatos, mbërrin si një emër që ngjall pritshmëri të larta. Me eksperiencë dhe instinkt për golin, sulmuesi izraelit shihet si një lider potencial në vijën e parë të repartit ofensiv. Por konkurrenca nuk do të jetë aspak e lehtë.

Arsen Lleshi, i cili ka qenë pjesë e ekipit edhe më parë, është një emër që njeh ambientin dhe ka treguar se di të jetë vendimtar kur i jepet besimi. Ai vjen me dëshirën për të treguar se meriton më shumë minuta dhe se mund të jetë alternativa e parë në skemat e trajnerit. Në këtë listë rivalësh për një vend në sulm futet fuqishëm edhe Ze Gomes, sulmuesi portugez që zotëron fizikun, teknikën dhe përvojën për të qenë vendimtar në zonë. Me një profil të plotë dhe lojë të rafinuar me topin, Gomesh është një lojtar që mund të përshtatet në disa skema dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës. Ndërkohë, Blaise Tsague, me forcën fizike dhe shpërthimet e tij, vjen si një “armë” ndryshe, që i jep sulmit një tjetër dimension, veçanërisht në ndeshje ku kërkohet intensitet dhe presion i lartë mbi mbrojtjen kundërshtare.

Këta katër emra janë sot në qendër të vëmendjes në fazën përgatitore dhe pritet që ndeshjet miqësore të jenë vendimtare për të përcaktuar hierarkinë në këtë pozicion. Elbasani ka luksin e zgjedhjes në majën e sulmit, por njëkohësisht edhe detyrimin për të gjetur balancën e duhur. Me kaq shumë cilësi dhe profil të ndryshëm në dispozicion, konkurrenca do të jetë e fortë, por e shëndetshme. E sigurt është që çdo gol i shënuar do të vlejë më shumë se një pikë: do të vlejë për të fituar vendin në formacion.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL