Monday , July 7 2025

Rama flet për shkarkimet në Vlorë: Të gjithë drejtorët do jenë të rinj, aplikoni

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku inspektoi nga afër aksionin e nisur në qytet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga bizneset.

Shefi i qeverisë mbajti dhe një deklaratë për media nga Vlora, ku foli mbi shkarkimet e drejtorëve të bashkisë Vlorë, por dhe të administratës qendrore në këtë qytet.

Rama përshëndeti dorëheqjen e drejtorëve dhe tha se, duke parë performancën e tyre të ulët, ata nuk do të mund të riciklohen si drejtorë në pozicione të tjera.

Kryeministri tha se të gjithë drejtorët në bashkinë e Vlorës dhe administratën qendrore të qytetit do të jenë të rinj.

Ai ftoi pedagogët e universitetit të Vlorës, por dhe të rinj të diplomuar që të konkurrojnë për t’iu bashkuar administratës, pasi procesi i përzgjedhjes do të jetë meritokratik.

“Secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen. Por ndërkohë dua t’i ftoj të gjithë burrat, gratë dhe vajzat profesioniste që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës.

Ata janë dorëhequr dhe i falënderoj e i përshëndes, dhe asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.

Kam një thirrje të veçantë për pedagogët e universitetit. Natyrisht që puna e tyre në universitet është shumë e vyer, por janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin. Cilado dhe cilido prej tyre që do të dojë të afrohet në administratën e bashkisë apo në role drejtuese në administratën qendrore do të jetë i mirëseardhur. Vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin përzgjedhës, i cili do të jetë një proces meritokratik.

Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë, në Tiranë, apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar të shërbejnë për administratën e bashkisë apo të shtetit, por që ndërkohë punojnë kamarierë apo punë të tjera, janë të mirëpritur të konkurrojnë,” tha Rama.