Orgest Gava var këpucët në gozhdë në moshën 35-vjeçare dhe nis një kapitull të ri në karrierën e tij, si zëvendëstrajner i Elbasanit.gavaNjë figurë emblemë e klubit verdheblu, Gava ka qenë pjesë e skuadrës që nga dita e parë e themelimit në Kategorinë e Tretë, duke mbajtur gjithmonë shiritin e kapitenit në krah. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai flet për vendimin për të lënë futbollin e luajtur, sfidën e re në stafin teknik dhe ambiciet e Elbasanit për sezonin e ri në Superiore.

Si erdhi vendimi për të lënë futbollin e luajtur?
Vendimi për të varur këpucët në gozhdë erdhi natyrshëm. Si një futbollist me shumë vite mbi supe, mund të them se ishte një nga vendimet më të vështira që kam marrë, por njëkohësisht edhe më spontanët. E ndjeva se kam ende shumë për t’i dhënë skuadrës, por në një rol tjetër, një përgjegjësi e re që vjen natyrshëm kur ke dashuri për këto ngjyra, për këtë klub. Jam i përqendruar maksimalisht që të mësoj sa më shumë dhe të kontribuoj sa më mirë për stafin dhe për lojtarët.
Si ndiheni tani në postin e zëvendëstrajnerit?
Kjo është një faqe e re në jetën time. Jam mirënjohës për besimin që më dhanë drejtuesit për të nisur rrugëtimin tim si trajner pikërisht te një klub i madh si Elbasani. Po ashtu, falënderoj edhe stafin teknik, që më ka mirëpritur dhe më ka ndihmuar ta bëj këtë kalim sa më të lehtë.
Sa e vështirë është të “urdhërosh” lojtarët që deri para pak kohësh i kishit shokë skuadre?
Duke qenë se kam qenë pjesë e këtij grupi dhe i njoh mirë djemtë, kalimi në rolin e trajnerit ka qenë më i natyrshëm. Më vjen mirë që gëzoj respektin e të gjithëve dhe kjo e bën më të lehtë komunikimin dhe punën e përditshme.
Më i thjeshtë ishte roli si futbollist apo si trajner?
Të dyja rolet mbartin përgjegjësi të mëdha. Nuk është e lehtë ta dallosh se cila është më e vështirë, por një gjë është e sigurt: çdo detyrë që merr përsipër duhet ta kryesh me përkushtim, seriozitet dhe dëshirën për të arritur objektivat.
Me çfarë objektivash hyn Elbasani këtë sezon në kampionat?
Ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Synimi është të luftojmë për çdo pikë, të japim shpirtin në fushë dhe besoj se nëse e bëjmë këtë, objektivat tona do të jenë plotësisht të arritshme.
Sa ndihmon eksperienca e fituar në sezonin e kaluar në Superiore?
Ka shumë rëndësi. Ekipi është më i konsoliduar, lojtarët e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe ndihen më të lirë për të shprehur potencialin e tyre. Përvoja e vitit të kaluar na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë veten, të mësojmë nga gabimet dhe të përgatitemi më mirë për të qenë edhe më konkurrues këtë sezon për të arritur objektivat e klubit.
Cila është pika më e fortë e Elbasanit në krahasim me rivalët?
Pa dyshim, forca më e madhe e jona është grupi. Jemi një skuadër e bashkuar, kemi një staf dhe drejtues që janë gjithmonë pranë nesh për çdo nevojë. Dhe mbi të gjitha, kemi tifozerinë më të zjarrtë në Shqipëri. Ata janë gjithmonë aty, me mbështetjen e tyre që na jep energji shtesë në çdo ndeshje.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL