Në qarkun e Elbasanit janë marrë masa të rrepta për të frenuar përhapjen e murtajës, sëmundje kjo që ka zgjeruar hartën e infektimit në disa zona të vendit. Edhe pse nuk është identifikuar ende asnjë rast në këtë qark, Elbasani konsiderohet i rrezikuar për shkak të afërsisë gjeografike me vatrën aktive të murtajës në Dibër vetëm 30-40 kilometra larg.
“Jemi një qark i pastër aktualisht, por me risk të madh për shkak të afërsisë me Dibrën. Të gjitha trupat veterinare janë në terren, në akset rrugore që lidhin zonat, në dogana, duke informuar fermerët për rrezikun“, u shpreh Fatmir Ozuni, Shefi i Shërbimit Veterinar, Elbasan.
Sipas Ozunit, sëmundja është tepër e rrezikshme dhe mund të shfarosë deri në 90% të tufës, duke prekur rëndë si fermerët ashtu edhe ekonominë kombëtare.
“Është një sëmundje që e lë bariun me Kërrabë në dorë. Prandaj janë marrë masa për çdo rast të dyshuar apo të konfirmuar“, tha Ozuni.
Masa e marra gjithashtu përfshijnë ndalimin e lëvizjes së bagëtive dhe izolimin e kontakteve mes kafshëve, sidomos në zonat kufitare si Librazhdi, që shtrihen në drejtim të Dibrës.
/rtsh.al/